Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, për çeljen e një pike të re kufitare Shën Nikolla-Pulaj, e cila do të jetë e aksesueshme për qarkullimin rrugor ndërkombëtar dhe vjen si pjesë e projektit për ndërtimin e urës mbi Bunë.

Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, duke prezantuar para ligjvënësve marrëveshjen, nënvizoi se kjo pikë kufitare do të jetësohet sipas parimit një ndalesë një kontroll dhe pritet të sjell efekte pozitive në aspektin ekonomik dhe turistik.

“Objekti është i dyfishtë, së pari, hapja e pikës kufitare dhe së dyti, kontrollet e përbashkëta. Marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Malit të zi, por dhe qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve në bregdet gjatë sezonit turistik. Pika kufitare do të jetë në parimin e një ndalese dhe një kontrolli, e njohur gjerësisht si “One Stop Shop”. Ky parim kursen kohën e qytetarëve dhe energjinë e nëpunësve të angazhuar në këtë pikë të re kufitare. Puna do të jetë 24 orë gjatë gjithë javës”, bëri të ditur Lamallari.

Sipas tij, kjo marrëveshje lehtëson fluksin në pikat e tjera kufitare, por edhe forcon bashkëpunimin policor mes dy vendeve.

“Me ratifikimin e marrëveshjes, sipas kuadrit ligjor ndërkombëtar, rritet bashkëpunimi policor, lehtësohet lëvizja e banorëve të zonave të Nënshkodrës, pjesë përbërëse të bashkisë Shkodër dhe zonave të Ulqinit, Malësisë së Krajës, komuna e Barit. Shkurtohet distanca mes dy vendeve, ulet fluksi i kalimeve në Muriqan. Dhe kjo pikë kufitare merr vlerë veçanërisht në sezonin turistik”, shtoi Lamallari.

Opozita nuk pati kundërshtime apo pyetje mbi marrëveshjen.

Marrëveshja e nënshkruar me 27 shkurt 2023, në Podgoricë nga Kryeministri Edi Rama dhe homologu malazez, Dritan Abazoviç. Marrëveshja përmban 18 nene.

Në relacionin bashkangjitur marrëveshjes theksohet si me rëndësi ekonomike fakti se nga pika e re kufitare do ketë stimulim të shkëmbimeve të aktiviteteve të grupeve turistike dhe të individëve turistë në destinacionet turistike në të dy anët e kufirit. Po ashtu pritet stimulimi i zhvillimit të turizmit në këto zona do të shoqërohet me rritjen e të ardhurave në buxhetet e të dyja vendeve dhe rrjedhimisht, me rritjen e të ardhurave të bizneseve që ushtrojnë aktivitet në këto zona.

Ngritja e pikës së kalimit kufitar dhe ndërtimi i urës do të ndikojë në promovimin ndërkombëtar të turizmit në rajonin tonë, përfshirë këtu edhe rritjen e interesit të agjencive turistike për organizimin e tureve të vizitave turistike dhe njëkohësisht, do të ndikojë në përmirësimin e reputacionit të zhvillimeve turistike të vendeve tona.

Hapja e pikës së kalimit kufitar dhe ndërtimi i urës, përveç përfitimeve financiare dhe turizmit do të ndikojë ndjeshëm edhe në lehtësimin e shkëmbimeve kulturore ndërmjet dy vendeve.

Po ashtu, pritet të ketë ndikim në rritjen e efektivitetit të një kontrolli më të mirë të sektorit dhe vijës të kufirit përgjatë lumit Buna, si dhe shfrytëzimin e vlerave turistike të lumit Buna, liqenit të Shkodrës dhe traditat e banorëve të Ulqinit, Velipojës, Malësisë së Tivarit dhe zonave përreth.