Dje intervistova një djalë 31-vjeç i sapo kthyer nga Gjermania. Kur e pyeta se sa vite pune eksperiencë kishte, u çudita kur më tha vetëm 3 vite në Gjermani. Dhe pas 10 minuta nisje të punës, më kërkoi të ndizte cigaren”, shton duke buzëqeshur një pronar servisi në Tiranë. Largimet jashtë vendit kanë futur në krizë tregun e serviseve, çka ka bërë që pronarët të rritin pagat e stafit ekzistues, por edhe të qëndrojnë me orë të zgjatura në punë.
Por me rritjen e pagave, janë rritur dhe shërbimet, duke rënduar xhepin e konsumatorit.
“Me stafin jam treguar i kujdesshëm, megjithëse nuk janë shumë të edukuar me kulturën e punës, përpiqem të toleroj sepse do detyrohem ti bëj vetë më pas punët”, shton një tjetër pronar servisi, në zonën e Laprakës.
Rasti më i fundit ishte një xhenerik që kishte mbi 5 vjet në servis dhe tani ka emigruar në Itali. Sipas tyre, megjithë rritjen e pagave, është e vështirë t’i bindësh të qëndrojnë, kur çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm.
“Më shumë se 70 mijë lek nuk ua bëj dot pagën. Sigurisht kam mekanikë dhe me paga 100 mijë lek, por pjesa më e madhe janë punëtorë. Kjo kategori e pakualifikuar vijon të jetë në mungesë. Ndërsa për mekanikët e xhenerikët, i gjithë tregu në vend është në krizē”, thotë një tjetër subjekt biznesi shitje dhe riparimi të mjeteve motorike.
Mira është punëtore në një nga furrat e zonës së “Don Boskos”. Ajo punon dy turne përditë pasi prej disa muajsh, vendet bosh në furrë si pasojë e largimeve, nuk janë zëvendësuar.
“Punoj prej 2 vitesh tek kjo furrë si bukëpjekëse. Prej 3 muajsh punoj me 2 turne, më kanë rritur pagën por është shumë rraskapitëse kjo punë. Nevoja për të ardhurat më detyron të pranoj këto kushte pune,”- thotë ajo.
Nga ana tjetër, kriza për punëtorë ka prekur dhe supermarketet. Megjithëse, me përfundimin e shkollës, janë vajzat e reja gjimnaziste ose studentet që u ofrohen punë sezonale, sërisht ato duket se preferojnë baret e restorantet si kamariere apo bariste.
“Kemi mbetur me staf të reduktuar prej kohësh. Me nisjen e sezonit të verës, kemi shpresuar tek vajzat e reja por duket se supermarketet nuk janë të preferuarat e tyre. Butiqet, ose bar-kafetë janë më të preferuara për to. Mungesa e stafit na ka detyruar të punojmë me orare të zgjatura. Në këto vende pune nuk kemi kërkesa as nga djemtë. Kasieret djem mungojnë në sportelet e marketeve,”- thotë menaxheri i një prej supermarketeve të njohura në Tiranë./GazetaSI