Qeveria miratoi projektligjin për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor, i cili përfshin disa rregulla strikte për të gjitha kompanitë të cilat që do të përfshihen në këtë sektor.
Përveç ngritjes së Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, projektligji parashikohen edhe kushtet e dhënies së licencës dhe lejeve për subjektet e interesuara.
Komisioni i Licencave do të administrojë dhe verifikojë kërkesat që do të paraqesin subjektet. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.
Licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera dhe nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë, por jo më e madhe se 10 hektarë. Licenca do të jetë për një periudhë 15-vjeçare.
Kriteri i parë është që kompania duhet të ketë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit.
Kompania ose aksioneri me 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga 38 vendet pjesë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik për të paktën 5 vite.
Subjekti duhet të jetë i pajisur me certifikatë të prodhimit lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave, Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat. Gjithashtu, kompania duhet të ketë një kapital jo më të vogël se 100 milionë Lekë.
Subjekti nuk duhet të ketë më pas se dhjetë persona të punësuar për çdo njësi, 2 prej të cilëve duhet të jenë të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agroinxhinierisë, me përvojë pune jo më pak se 3 vjet.
Subjektet pas vitit të tretë, duhet të paguajnë në vit një tarifë vjetore sa 1,5 % e xhiros vjetore, jo më pak se 10 milionë Lekë. Gjithashtu subjektet duhet të paraqesin garanci bankare në masën 10% të vlerës së investimit.
Por për t’u pajisur me licencë, subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk duhet të jenë në ndjekje penale apo në gjykim. Në raste shkelje të kushteve të licencës, kompania do të gjobitet me 500 mijë Lekë deri në 5 milionë si dhe ndalimi i veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet.
Ministri përgjegjës për shëndetësinë vendos për shfuqizimin e licencës nëse subjekti shkel në mënyrë të përsëritur këto kushte.
Klan News