Nga Rita Shkurtaj

Në Spitalin Rajonal të Shkodrës në mes të gjithë atij ekipi doktorësh kirurgë e jo vetëm ushtron profesionin e tij edhe kirurgu i shquar Dr. Shpëtim Ymeri. E quaj të tillë pasi të gjithë pacientët apo qytetarët që e njihnin atë e përkufizonin si “Doktori që ta heq t’keqen me dorë”. E njoha në mënyrë të sforcuar, pasi angazhimet më bënin të shpërfillja sinjalet e trupit sa herë që kisha shqetësime. Zakonisht merrja një qetësues për dhimbje dhe për pak ditë e harroja, duke mos e kuptuar se situata po bëhej rutinë e po më dilte jashtë kontrollit.
Prej shumë kohësh kisha planifikuar udhëtimin e këtij fundmaji për në Kelmend, ku do shoqëroja një miken time regjisore. Ajo quhej Klara Van Es dhe vinte nga Belgjika për të realizuar një film dokumentar.

Në guidën e saj, kësaj radhe e shoqëronin dy të rinj të miredukuar shkodranë (vëlla e moter) pinjollë të familjes Radovani. Vajza përkthente, ndërsa djali i shoqëronte me makinën e tij tip foristradë. U ngjitëm në Selcë dhe zumë vënd tek Bar – Restoranti “Selca Cem”, për një kafe të shpejtë, ku më pas u nisëm drejt familjes Lumaj, të bënim intervistën.

Ndërkohë kisha filluar të ndjej shqetësime në zonën e stomakut. Intervista bëhej me inçizim dhe për të mos u dhënë me kuptu të tjerëve, u spostova pak. Dhimbjet sa vinin e bëheshin më të forta. Me të mbaruar intervista, jemi nisur urgjent për në Shkodër. Duke parë gjendjen time, familja Lumaj na sugjeroi të ndalonim në Qëndren Shëndetësore – Tamarë, për të marrë mjekimin paraprak.

Me të mbërritur në dyert e Spitalit Rajonal të Shkodrës, të tre miqtë, të shqetësuar jashtë mase, më shoqëruan deri sa mbërritën familjarët.

Regjisorja Klara, shumë e merakosur për gjendjen time, njëkohësisht ishte edhe e habitur nga impakti i parë me shërbimin spitalor në Shqipëri. Megjithëse nuk kuptonte shqip, ajo arrinte të lexonte me përpikmëri gjuhën e veprimeve të këtij shërbimi, gjë që e bëri ta quajë edhe një eksperiencë të rrallë dhe shumë të nevojshme për projektin e saj.

Me të mbërritur familjarët, ata u larguan gjithë sy e veshë, për të ditur mbi gjendjen time në vazhdim. Me rekomandimin e Dr. Ardjan Këlliçit – Tamarë, stafi i urgjencës më bëri regjistrimin. Fati deshi që mjek roje atë natë të ishte Dr. Shpëtim Ymeri, i cili do më merrte në patronazh. Nuk e njihja dhe se kisha takuar kurrë më parë. Më vizitoi dhe mbi kartelë shënoi çdo mjekim apo veprim që do të më kryheshin paraprakisht.

Në të gjithë atë situatë, për çudi kishte krejt pak pacienta në urgjencë çka bëri të kem një vëmëndje të shtuar. E bindur për një helmim rutinë, për habinë time rezultoi të kisha probleme serjoze me gjëndrën e tamthit (gurë, rërë dhe infeksion), gjëndje që ndoshta kishte kohë që ishte krijuar aty edhe pse analizat i bëja shpesh dhe parametrat dilnin optimal.
Ishte ekoja ajo që zbuloi gjithçka dhe në momentin më të keq sepse krizat po bëheshin edhe më të forta.

Pasi mora një dozë të mirë qetësuesish dhe nisa të gjej pak paqe me vete, pranë krevatit të urgjencës u shfaq doktori me kartelën time tashmë të kopsitur me rezultate analizash dhe vëzhgimesh spitalore.

Zonjë, m’u drejtua Dr. Shpëtimi, ju keni probleme serioze dhe duhet t’i nënshtroheni një operacioni të shpejtë. Për ta bërë këtë duhet më parë të neutralizoni gjendjen me anë të një kure mjekimesh intensive. Ndërkohë duhet të pini vetëm ujë dhe atë në sasi shumë të pakët. Keni dy mundësi. Të shtroheni dhe të filloni mjekimin intensiv të menjëhershëm ose të shkoni në shtëpi dhe të ndiqni terapinë në kushtet e shtëpisë. Megjithëse isha në pikun e angazhimeve vendosa të qëndroj, pasi trauma e krizës ishte prezent dhe e dija se po të dilja nuk do ta kisha kujdesin mjekësor si në spital. Atëherë dërgojeni në repartin e kirurgjisë për shtrim dhe vazhdoni t’i bëni mjekimet, i dha urdhër personelit të shërbimit në urgjencë.

Sërish do ta quaj fat që dhoma në të cilën më vendosën ishte përballë dhomës së kirurgëve “Mjek rojë”, çka bënte që prezenca dhe vëmendja e tyre të ishte 24 në 24. Ky ishte edhe shkaku që më bëri të shkruaj këtë shkrim të rrallë, të mbështetur mbi eksperiencën personale.

Dr. Shpëtim Ymeri, sikurse çdo njëri nga kolegët e tij kirurg, hynte nëpër dhomat e pacientëve me një autoritet të jashtëzakonshëm, i shoqëruar nga stafi mbikqyrës i turnit të shërbimit, porosiste, vizitonte dhe vëzhgonte me mprehtësinë e tij çdo detaj që lidhej me mirqënien e pacientit. Ajo që binte në sy më së shumti ishte komunikimi me pacientin me një dialog vetëndërgjegjsues, për të mirën e tij në këshilla e në porosi, për orët në vazhdim. Pas çdo vizite gjatë atyre ditëve, në mendje m’u ngulit një pyetje:
A thua vallë ua di vlerën këtyre kirurgëve qyteti i Shkodrës? Shteti apo Kombi Shqiptar?

Dr. Shpëtim Ymerin e njohin të gjithë në Shkodër dhe e trajtojnë me respektin më të madh, si doktor kirurg e ca më tepër si njeri i depolitizuar, që gjithë jetën e tij e ka vënë në shërbim të shëndetit publik, duke luftuar me vdekjen në çdo rrethanë, e mbrojtur me dinjitet, me profesionalizëm e me zemër jetën e secilit pacient që bie në duart e tij.

Puna e kirurgut nuk ka sy e veshë për ta vëzhguar në transparencë mediatike, pasi janë rrethanat e punës që kushtëzojnë atë, por ka rezultate të matshme në qindra e mijëra shpëtime jetësh, në bekime e gëzime zemrash, sa herë pacientët gjejnë shërim nga ndërhyrja kirurgjikale e këtyre heronjëve të ditëve tona. Dhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi për të fituar ato dije dhe aftësi profesionale, çdo njëri nga ata ka investuar dhe udhëtuar në kohë me librat dhe me sifdat e mëdha të shkencës, për të qënë këta profesionistë të spikatur të kirurgjisë që na shërbejnë ne sot.

Në të vërtetë, pacienti e gjen gjithmonë rrugën për t’ia shprehur mirënjohjen e tij, pasi pacienti është qytetar që e ndjen, e ruan dhe transmeton në memorien kolektive të qytetit, vlerësimin ndaj shërojsit të vet, por kjo nuk mund të thuhet për vëmendjen dhe vlerësimin e shtetit ndaj tyre.

Trajtohen si punonjës shteti dhe vlerësohen sipas sektorit të përgjithshëm të punës, por jo me vlerën e vërtetë të rolit që kanë në shoqëri. Janë bijë të popullit të thjeshtë, por janë heronj të virtytit të lartë human. Nëpërmjet tyre, shteti mburret, duke i klasifikuar si fytyra e vërtetë e shëndetësisë falas në Shqipëri, por harron t’i trajtojë me vlerën reale që mbartin këta gardianë të shëndetit publik.

Investimi tek kirurgu, mjeku apo shëndetsia, është investim tek siguria kombëtare. Bota i ngre në piedistale për meritat dhe nevojën e përhershme ndaj tyre, ndërsa në Shqipëri prioritet dhe imunitet ka militanti i përkohshëm pa shkollë e pa dije.

Paralel me shëndetin publik punojnë dhe veprojnë edhe spitale private, në të cilat duhet të investosh të marrësh shërbim, por që në të vërtetë veç kushteve të spitalit dhe aparaturave teknologjike nuk ndryshon asgjë, pasi janë po këta kirurg që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale, njësoj si në spitalet publike. Atëherë çfarë i detyron këta kirurgë të bëjnë punë të sforcuar?
Veç nevojave jetike, këta kirurgë duhet të ecin me hapat e shkencës, ku vazhdimisht duhet të investojnë në dije, gjë që i detyron të bëjnë nga dy punë për të patur të ardhura të mjaftueshme.

A nuk mundet vallë shteti t’u japë prioritet, për të patur më tepër kohë për veten e tyre, për të shtuar dije shkencore, për të mbrojtur dizertacione e studime të thelluara para botës, ku vetë shteti do mburrej me ta, për t’u krijuar kushte e të ardhura të mjaftueshme, në mënyrë që të marrin mbrapsht atë që po i ofrojnë shoqërisë?

Këto janë probleme që peshojnë në nevojat e kirurgëve, që pak kush i kupton, sepse në përditshmëritë e tyre ato nuk janë prioritet, pasi ata punojnë në heshtje duke mbrojtur shëndetin tonë 24 në 24.

Këta janë heronjtë e ditëve tona, të cilët i takojmë dhe u kërkojmë ndihmë vetëm kur kemi betejën tonë të mbijetesës për jetë a vdekje. Por ata janë aty për ne dhe të afërmit tanë për një mision të shenjtë, nëpërmjet të cilëve Zoti përmbush edhe planet e veta, duke i shndërruar edhe në engjëj mbrojtës të njerëzve mbi tokë. Ndaj mirënjohje të përjetshme Dr. Shpëtim Ymeri dhe gjithë ekipit të kirurgëve, si dhe mjekëve të Spitalit Rajonal të Shkodrës, për punën vetëmohuese në të mirë të shëndetit tonë publik.