Mungesa e një vendi të caktuar për materialet inerte ka bërë që në Shkodër shumë zona të kthehen në vatra për depozitimin e tyre.
Çdo ditë në këtë zonë periferike hidhen tonelata me inerte.
Pamjet flasin qartë se si apelet ndaj institucioneve vijojnë të bien në vesh të shurdhët sepse gjendja sa vjen e rëndohet.Persona të ndryshëm shkarkojnë sistematikisht dhera, mbetje të ngurta apo materiale të tjera ndërtimi në këtë zonë duke sjellë një skandal mjedisor.
Varrezat e Dëshmorëve janë një prej “hotspot”-eve të mbetjeve inerte por dhe urbane në Shkodër. Pak ditë më parë në aksionin e pastrimit nga Velipoja Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dha lajmin se në landfillin e Bushatit ka nisur proçesi për krijimin e një mjedisi të dedikuar për vend-depozitimin e mbetjeve inerte.
Edhe pse në disa raste ka patur premtime se personat që ndotin ambjentin duke hedhur inerte do të ndëshkohen me masa administrative gjobë, sporadike kanë qenë rastet kur personat e papërgjegjshëm janë përballur me ligjin.
Në të njëjtën kohë nuk dihet ende se deri kur kjo situatë e papranueshme do të vijojë të jetë në këtë gjendje, kur mendon këto pamje janë vërtet skandaloze ku mbetjet lulëzojnë cdo ditë.