Kryetari i Bashkisë Safet Gjici është filmuar duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë në zyrën e tij. Në videon e gjatë më shumë se 2 minuta duket data 6 qershor 2023 ndërkohë që ajo është shpërndarë sot paradite ( 16 qershor) me shpejtësi përmes whatsapp, por Report TV dhe Shqiptarja.com, për arsye etike, vendos të mos e transmetojë.

Në orën 13:00 SPAK konfirmoi nisjen e hetimeve ndaj kryebashkiakut 51-vjeçar që mori mandatin e dytë më 14 maj 2023.
Ndryshe nga sa njoftoi ish-kryetari Safet Gjici, se ka dorëzuar dorëheqjen, në fakt qeveria bëri me dije se e ka shkarkuar.

‘Sot Këshilli i Ministrave mori një vendim për shkarkimin e menjëhershëm për shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Kukësit.’- tha ministrja Delina Ibrahimaj.
Në orën 14:00 Safet Gjici shkroi në rrjetet sociale se ka dorëzuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë së Kukësit. Dorëheqjen zgjodhi ta bëjë përmes një postimi në rrjetet sociale duke e nisur me një ndjesë publike dhe akuzuar se ra në kurthin e kundërshtarëve politike.
“Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rash pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve.
Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam mëse i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarërisht se i rënë në kurth.
Nuk mund të jem më unë njeriu që punon në atë zyrë shteti pasi e kam tradhëtuar besimin e atyre mijëra njerëzve që besuan e punuan me mua për ta bërë Kukësin një qytet gjithnjë e më të mirë.
Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jeten kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”
Video duket si filmim amator dhe prapa kësaj ngjarjeje mund të jenë shumë të pathëna. Deri më tani, nga informacionet që Report Tv ka marrë, vajza nuk është punonjëse e Bashkisë së Kukësit. Ndërkohë në postimin e tij Gjici thotë se prej disa kohësh kishte me të marrëdhënie intime.