SHKODËR- Një 29-vjeçar në Shkodër është arrestuar për dhunë në familje. I riu, i identifikuar me inicialet F.M., banues në lagjen “Perash” të Shkodrës, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij të mitur dhe menjëherë është bërë arrestimi i tij.
Gjithashtu në fshatin Theth të Shkodrës, dy persona M.Sh 28 vjeç dhe M.Z 49 vjeç po hetohen në gjendje të lirë, pasi janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi, pa lejet përkatëse.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve në terren, për parandalimin dhe konstatimin e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, kanë evidentuar 2 raste të këtyre paligjshmërive, për të cilat janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. Sh., 28 vjeç dhe M. Z., 49 vjeç, të dy banues në fshatin Theth, Shkodër, pasi janë konstatuar duke kryer punime ndërtimi, pa lejet përkatëse.
Po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 29 vjeç, banues në lagjen “Perash”, Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshkortes së tij dhe ndaj vajzës së tyre të mitur. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.