Qeveria ka shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici. Vendimi u mor këtë të premte (16 qershor), pas publikimit të një video në platformat e komunikimit online, ku Gjici shfaqej në marrëdhënie intime në zyrën e tij.

Ishte Ministrja Delina Ibrahimaj e cila, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, njoftoi vendimin e Qeverisë për shkarkimin “e menjëhershëm” të Gjicit.

“Këshilli i Ministrave mori një vendim për shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të bashkisë Kukës”, tha Ibrahimaj.

Gjici, i cili fitoi mandatin e dytë në krye të Bahskisë së Kukësit në zgjedhjet vendore të 14 majit, reagoi pas publikimit të videos duke njoftuar dorëheqjen e tij. Ndërkohë SPAK ka nisur procedimin penal për kryebashkiakun socialist të Kukësit.