Marrja e detyrës së kryebashkiakut të ri të Shkodrës Benet Beci është shtyrë me tri ditë.Shkak është bërë një kërkesë e 29 këshilltarëve të PS-së dhe PSD-së, për ta shtyrë mbledhjen e planifikuar nga e premtja në të hënën.Në këto kushte, sipas ligjit, sekretari ka shtyrë mbledhjen e Këshillit Bashkiak në fillimin e javës së ardhshme.

Sekretari i Këshillit Bashkiak Denis Lesha njofton mos zhvillimin e mbledhjes së parë të mandatit 2023-2027, të planifikuar ditën e Premte, datë 16 Qershor 2023, ora 11:30 dhe thirrjen e mbledhjes së tij të parë, ditën e Hënë datë 19 Qershor 2023, ora 11:00.

Në pikat e rendit e para do të jetë ajo e Zgjedhjes së Komisionit të Mandateve, më pas ato të Miratimit të Mandateve dhe betimi i anëtarëve të këshillit, Zgjedhja e Kryetarit dhe Zëvëndës Kryetarëve të Këshillit, Shpallja Vlefshmërisë së Mandatit të Kryetarit të Bashkisë dhe Zgjedhja e Këshilltarëve. Në zgjedhjet e 14 majit, për herë të parë në bashkinë e Shkodrës fitoi një kandidat socialist.

Benet Beci mposhti kundërshtarin e tij Bardh Spahia me një diferencë të thellë prej 11.727 votash.