Në qendrën rinore “Arka” u zhvillua takimi promovues i librit “Rrethimi” i gazetarit dhe shkrimtarit Enkel Demi, i cili edhe kësaj here vendosi të vinte tek lexuesi me pseudonimin Tom Kuka.
Në një ambjent të rrethuar nga dashamirës të librit, autori Demi iu përgjigj pyetjeve të moderuesit të këtij takimi Simon Shkrelit duke ndarë detaje nga libri.Për librin “Rrethimi” foli edhe botuesja e tij Loreta Berhami, ndërsa ndanë mendimet dhe opinionet edhe disa nga të pranishmit në sallë.
Libri i zhvillon ngjarjet e tij në Shkodrën e rrethuar nga malazezët dhe kryepersonazhi i librit Kolë Laca duhet të fiksojë gjëmën e qytetit përmes aparatit fotografik si një kronikë e Shkodrës së pushtuar përgjatë Luftës së I Botërore por njëkohësisht edhe fatin e dashurisë së tij për Trinën.