Të hënën ka nisur përgatitjet për pjesmarrjen në Kupat e Europës edhe Vllaznia, por te shkodranët ka patur një eksod, pasi 11 futbollistë nga sezoni i kaluar, përfshirë edhe kapitenin Gurishta, mungonin.

“Deri në fund të qershorit do kuptohet komplet organika e re e Vllaznisë, pasi më pas duhet të jemi gati për Conference League, por merkato është e hapur deri në fund të gushtit,”-u shpreh Alban Xhaferri, president i Vllaznisë.

Po çfarë pret Vllaznia nga pjesmarrja në Conference League?

“Ne do synojmë të prezantohemi sa më mirë dhe mundësisht të kalojmë turin e parë dhe pastaj të flasim edhe për vazhdimësi,”-deklaroi Alban Xhaferri, president i Vllaznisë.

Presidenti Xhaferri tregoi arsyet përse Migen Memelli fitoi balotazhin për trajnerin e ri karahas dy shkodranëve si Armando Cungu dhe Edi Martini.

“Unë e kam miratuar kandidaturën e trajnerit Memelli, duke iu referuar CV së tij si futbollist në rradhë të parë. Mendoj se ka një eskperiencë të jashtëzakonshme. Na ka pëlqyer karakteri, ndërshmëria që është një element shumë i rëndësishëm,”-tha Alban Xhaferri, president i Vllaznisë.

Ekipet shqiptare do të mësojnë kundërshtarët për ndeshjet e para në kupat e Evropës në shortin e datës 20 qershor.