12 dhe 13 qershori përkojnë me mbylljen e pelegrinazhit 13-javor në Kishën e Shna Ndout në Laç. Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne mijëra pelegrinë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë i janë drejtuar këtij vendi të shenjtë për kremtimin e kësaj feste.

Me besimin se do t’i ndihmojë, një pjesë e madhe e tyre do të qëndrojnë gjatë gjithë natës në ambientet përreth kishës, derisa të zbardh dita. Të shumtë janë ata që me besim rikthehen sërish në këtë vend të shenjtë.

“Për mirësi, për shëndet, kemi besim të madh. Për sivjet kam ardhur për herë të parë se nuk kam mundur të vij, por do të kisha qëndruar përditë këtu. Do të rrimë derisa të bëhet mesha e mesnatës; Nga Shkodra kemi ardhur, kemi besim te Shna Ndou, ka bërë shumë mrekulli. Të gjitha të mirat i dimë për të. Vijmë për çdo vit që mundemi; Do rrimë këtu sot sepse është vendi më i shenjtë e më i besueshëm për njerëzimin. Lutemi për ekonominë, për fëmijët, paqen qetësinë, që të pushojë lufta në Ukrainë”- u shpreh një qytetar.

Kisha e Laçit nuk frekuentohet vetëm nga zona të veriut që e kanë më afër, por harta e vizitorëve është e larmishme. Kjo zonjë ka ardhur nga Divjaka.

“Kemi ardhur nga Divjaka. Jemi të besimit të Zotit. Kemi shumë besim, kam ardhur këtu 2 apo 3 herë. Kam ardhur edhe me djalin, kjo është kishë e shenjtë”-tha një tjetër besimtar.

Mrekullitë e Kishës së Shna Ndout janë të shumta. Historitë tregohen nga të gjithë, njësoj si kjo që ky burrë ndau me ne sot.

“Mrekulli siç e tregojnë, kanë marrë gurë këtu e i kanë dërguar më poshtë. Janë transportuar gurët e kanë ardhur këtu, në këtë vend të shenjtë ku jemi ne”- u shpreh një qytetar.

Kisha e Laçit po frekuentohet edhe nga fëmijët, të cilët nga historitë e treguara nga të afërm e familjarë vijnë për herë të parë.

“Unë kam ardhur që Zoti të më plotësoj dëshirën, për të më ndihmuar familjen e të rritem e të bëhem djalë i mirë. Është hera ime e parë, familja ime ka ardhur shumë shpesh, por unë kam ardhur sot për herë të parë në jetën time. Kam qejf të vij prap”-tha një tjetër pelegrin.

Dyndja e qytetarëve drejt kishës se Shna Ndout në Laç, ka sjellë trafik të rënduar dhe kaos në lëvizje. Situata me problematike paraqitet në rrugën që lidh autostradën Milot-Thumanë me qytetin e Laçit. Pelegrinazhi në Kishën e Shna Ndout kryesisht mbyllet pa incidente, por për të garantuar sigurinë, Policia e Shtetit është angazhuar me forca të shumtë, të cilët do të jenë në gatishmëri derisa i gjithë itinerari të përmbyllet plotësisht.