Studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, do të mund të mund të përfitojnë praktika dhe punësim sezonal në Institucione dhe Organizata që veprojnë në Komunën e Ulqinit dhe Tuzit. Një përfitim i tillë do të arrihet si rezultat i bashkëpunimve të më hershme dhe i marrëveshjeve, të cilat priten të konkretizohen së shpejti.

Kjo është bërë e ditur gjatë një mikpritjeje në Komunat përkatëse të grupit të projektit “Vështrim në trashëgiminë shqiptare përmes gjurmimeve dhe përkthimeve studentore. (Studentët si ambasadorë të kulturës), si dhe gjatë takimit përmbyllës që u zhvillua në rektoratin e Universitetit të Shkodrës” Luigj Gurakuqi”, ku nënkryetari i Komunës së Ulqinit, zotëri Sabri Salaj, në fjalën e tij theksoi gatishmërinë për ndihmesë dhe njëkohësisht e çmoi si shumë të vlefshëm çdo bashkëpunim me rektoratin dhe stafin e pedagogëve të Universitetit. Nga këto bashkëpunime studentët do të mbështeten në mundësinë e thellimit të njohurive për zonat e sipërpërmendura por edhe do të aftësohen në praktikë për tu bërë specialistë në fushat përkatëse ndërsa pedagogët mund të mbështeten në hulumtimet e tyre.

Si rezultat i takimeve me drejtuesit e Gjimnazeve të Ulqinit dhe Tuzit u diskutua për binjakëzime dhe zhvillimeve të aktiviteteve të përbashkëta të cilat do të mund t’i shërbejnë vëllazërimit dhe njohjeve më të mira të programeve të studimit që ofrojnë këto institucione.

Gjatë zbatimit të projektit u vu theksi edhe tek forcimi i Alumnit( mbajtja e kontakteve me ish studentët e Universitetit). Shumë studentë që kanë përfunduar studimet në Universitetin e Shkodrës sot janë mësimdhënës në këto gjimnaze apo në cikle të tjera, janë gazetarë, ekonomistë, përkthyes, operatorë turistikë, infermierë, jurist, specialistë etj. Dias prej tyre mirëpritën studentët aktual që morën pjesë në projekt.

Rektorja e Universitetit, prof.dr Suzana Golemi, vuri theksin në mbështetjen dhe motivimin për realizimin e projekteve me në qendër studentët, aftësimin e tyre teorik dhe praktik, që ato të bëhen profesionistë të mirë dhe ambasadorë të kulturës shqiptare.Në vijim të fjalës së saj, Rektorja i vlerësoi si shumë të vlefshme bashkëpunime të tilla ku përfitues do të jenë pedagogët dhe studentët.

Ky projekt i mbështetur nga Universiteti i Shkodrës u ideua nga dy pedagoget e Universitetit të Shkodrës prof.as.dr Elindë Dibra dhe prof.as.dr Angjelina Nënshati. Ndër qëllimet kryesore të hartimit të projektit ishte hulumtimi i zonave që mbartin thesare të kulturës, historisë dhe potencialeve zhvillimore. U vizituan zona të tilla si Shasi i Vjetër, Kalaja e Ulqinit, zona bregdetare e Valdanosit, shpella e Gadimës, muzeu Malësia i familjes Ivezaj, etj. Institucione si Komunza e Ulqinit, Komuna e Tuzit, Libraria e Ulqinit, Radio Elita, Radio Televizioni i Kosovës, gjimnazi i Ulqinit, gjimnazi i Tuzit etj. Studentët u aftësuan në punët hulumtuese në terren, në mjeshtrinë e drejtuesit të guidave dhe në vizione të shumta që lidhen drejtpërdrejtë me profesionet e tyre.

Ky projekt u vlerësua si shumë i vlefshëm nga studentët dhe grupi i punës si për aktualitetin ashtu edhe për perspektivën.