Policia Rrugore e Shkodrës po vijon kontrollet intensive në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur mjetet inteligjente, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër gjatë një jave thotë se janë arrestuar 2 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. 103 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për parakalim të gabuar dhe 27 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.
Po ashtu 34 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 148 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për pushim mjeti, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe 7 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
Policia e Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.