Këshilli i Ministrave miratoi fondin prej 179 milionë lekësh për shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i aksit rrugor Thumanë – Vorë – Kashar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 179 008 557.70 lekësh, përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.
Pronarët e pasurive të paluajtshme kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga kontrata e koncesionit/partneritetit publik privat, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqërisë “Gener 2”, sh.p.k, dhe shoqërisë “G2 Infra”, sh.p.k.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit.