Me një fond limit prej 837.1 mln lekë, Korporata Elektorenergjetike Shqiptare ka hapur tenderin për ndërtimin e impiantit fotovoltaike në Digën e Zadejës, që ndodhet në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Referuar dokumenteve të tenderit, fuqia e instaluar parashikohet të jetë 8.25 MWp, ndërkohë që kontrata që synohet të nënshkruhet do të përfshijë 4 faza.

Faza e parë përfshin studimin e fizibilitetit, projektimin dhe përgatitjen e dokumentacionit për marrjen e lejeve përkatëse për instalimin e impiantit fotovoltaik të Zadejës. Këtu përfshihet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm, që nga lejet e ndërtimit, ato mjedisore, lidhja me rrjetin e transmetimit apo dokumentet për licencim pranë Entit Rregullator të Energjisë, për prodhim energjie. Faza e dytë parashikon ndërtimin e centralit, ndërsa faza e tretë testimin, komisionimin dhe fillimin e operimit.

Ndërkaq, kontrata do të përmbajë edhe një fazë të katërt, që është mirëmbajtja e impiantit për një periudhë 2-vjeçare. Në dokumentet e tenderit nuk ka specifikime mbi kohën kur centrali i prodhimit të energjisë nga dielli do të duhet të jetë në operim, por përcakton se projektimi duhet të jetë gati brenda 4 muajsh nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa punimet për ndërtimin e tij parashikohet të zgjatin 12 muaj.

Ky do të jetë impianti i dytë diellor që do të ndërtohet nga gjeneruesi publik i energjisë, teksa centrali me fuqi të instaluar 5.14 MWp në digën e Qyrsaqit, tashmë ka hyrë në prodhim. Sipas KESH, objektivi i përgjithshëm i projektit është diversifikimi i portofolit të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.

Ola Mitre /SCAN

Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.