Benet Beci ndryshoi historinë 32 vjeçare të politikës lokale në Shkodër. Ai fitoi zgjedhjet lokale nën siglën e Partisë Socialiste. Po cila është lidhja e Benet Becit me Shkodrën?

Benet Beci është lindur dhe është rritur në Tiranë, po origjinën e ka nga Shkodra.

Sipas xhaxhait te Benet Becit, Ismet Beci, gjyshërit dhe babai i kryetarit të Bashkisë, Benet Beci janë rritur në zonën e quajtur “Ura e Dervishbeg”. Ai një pjesë të fëmijërisë së tij e ka kaluar në shtëpinë e gjyshërve, të cilët vinte dhe i vizitonte shpesh, pasi ka qenë shumë i lidhur me ta.

Xhaxhai i Benetit, Ismet Beci i cili vazhdon të jetojë në Shkodër në lagjen e të parëve të tyre në Perash.

“Vocërria e fëmijëve tanë ka qenë e barabartë. Ne kemi qenë 4 vëllezër, i madhi dhe i vogli nuk jetojnë. Unë dhe babai i Benetit, Bariu jetojmë. Nëna e babai i Benetit jetojnë në Francë. Beneti me familjen në Tiranë. Një pjesë të vogël të fëmijërisë së tij e ka kaluar edhe në Shkodër deri sa ka ardhur momenti për të vazhduar shkollën se ka qenë dhe jashtë. Benet ka qenë që i vogël një fëmijë i urët dhe simpatik.”- thekson xhaxhai i Benet Becit për Panorama TV.

Me tej, Ismet Beci thotë se Beneti është i lidhur me të gjithë të afërmit dhe të moshës më të thyer.

“Beneti është i barabartë me djalin tim, me tiparet e përbashkëta që kanë, me dashurinë dhe respektin. Sot është dhe më i lidhur me moshën tonë, me trashëgimtarët e babait të tij.”- thekson ai.

Po si e sheh fitoren e nipit për të drejtuar Shkodrën? “Beneti nuk erdhi në Shkodër për t’u bërë Kryetar Bashkie, por thjeshtë për Shkodrën. Si trashëgimtar i shkodran. Shkodra ka qenë e pastër gjithmonë, e kanë luftuar gjithmonë se ka vazhduar demokracinë deri në këtë moment. Ky është një rast i veçantë me dalë si socialist, ai s’është anëtar i Partisë Socialiste, se nuk ja ka kërkuar askush të bëhet anëtar i PS-së. Thjesht është një qytetar shkodran me ndjesinë e shkodranit. Shkodra përderisa e ka zgjedhur besoj do t’ja lehtësojë punën dhe mundin sepse është në dobi të të gjithëve.”- thekson Ismet Beci për Panorama TV.

Benet Beci nuk ka një shtëpi të vetën në Shkodër. Kemi mësuar se në muajin shkurt para se të niste fushatën ka ndryshuar vendbanim. La Tiranën dhe u regjistrua në 9 shkurt në gjendjen civile të Shkodrës dhe si adresë banimi ka regjistruar një shtëpi të marrë me qira në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.

Në merak për vendqëndrimin e Benetit është dhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një intervistë në podcast-in e tij i kërkoi që të mos e bëjë vajtje-ardhje rrugën Shkodër-Tiranë, por të punojë e jetojë full-time në Shkodër.

“Ti je bërë Kryetar i Bashkisë së Shkodrës. Unë shpresoj shumë që do jetosh në Shkodër e nuk do jesh si disa Kryetarë Bashkie, që votojnë atje, janë atje ose kanë një lidhje atje dhe bëjnë rrugën Tiranë atje çdo ditë. Nga ty unë pres të rrish në Shkodër, Benet, këtë mos e diskutojmë se larg qoftë unë një zëvendësue se kam gati.”- ka thënë Rama.

“Unë në Shkodër jam. Nuk kam lëvizur dhe nuk do shkoj. Do vazhdoj të rri!”- u shpreh Beci./Panorama TV