Ministria e Brendshme informoi sot në mëngjes se është arrestuar Shkëlzen Gjonajn, me detyrë specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër, i cili u filmua duke u futur në një makinë private pa mandat kontrolli. Pasi i kontrollon makinën polici i hap portofolin. Kjo video dhe një tjetër ku ai shfaqet duke rrahur një qytetar u publikuan një ditë më parë në medie.
Sipas informacioneve, polici dyshohet se ka marrë nga portofoli një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro, të cilat pasi u pikasën nga kamerat ia ia ktheu pronarit disa orë më pas. Prokuroria e Shkodrës nxorri urdhër ndalimi për Shkëlzen Gjonajn, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B.
“Pas transmetimit të një rasti tjetër të abuzimit me detyrën nga ky punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj” informoi mbrëmë policia e shtetit.
Ndërkohë sot në mëngjes, (1 qershor) u njoftua arrestimi.
Polici kontrollon makinen
Video është nga kamerat e sigurisë dhe është bërë në datën 21 maj 2023. Një makinë policie shkon në një lavazh në Shkodër. Në makinë ishte edhe komandanti i rendit, Shkëlzen Gjonaj, bashkë me një tjetër polic. Ngjitur me makinën e policisë që po lahej, ishte edhe një tjetër mjet privat. Inspektori Shkëlzen Gjonaj shkon në afërsi të kësaj makine dhe bën kontroll. Ai merr nga brenda makinës një send, i cili është portofol. Fillon dhe e kontrollon. Merr një send të bardhë, të cilin e hap. Brenda këtij zarfi dyshohet se ka pasur 350 mijë lekë dhe 50 euro të qytetarit. Më pas, polici e merr zarfin dhe bashkë me një fasoletë, heq kapelën. Ai bën sikur pastron kapelën dhe fut në të një send të bardhë, i cili ishte zarfi. Vazhdon pastrimin dhe më pas e vendos në kokë dhe largohet.
Polici rreh qytetarin
Në videon tjetër shfaqet sërish Shkëlzen Gjonaj, i cili gjuan me shkelma dhe grushte një djalë të ri. Sherri bëhet në mes të lokalit, teksa nga pamjet nuk duket si aksion policor. “Ik, ik! Larg, larg. Yyy, yyy depzes kur&ë! Jazëk, ik …” i thotë inspektori qytetarit. Inspektori i policisë, Shkëlzen Gjonaj, ka të veshur uniformën e policisë. Fillimisht, ai shan dhe ofendon një qytetar. Më pas e qëllon dy herë rresht me grusht në fytyrë. Dhuna vijon me një shkelëm. Por nuk ndalet, e godet sërish me grusht kur po largohej! Qytetari largohet dhe për asnjë moment nuk e ofendon dhe e godet!. Kur gazetarët e emisionit investigativ e pyesin për videon e dytë, atë të rrahjes së një djali, ai thotë se e kishte goditur për hir të punës
Vetëm përgjatë vitit 2022 Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre 357 raste nga të cilët 168 me masë shtrënguese. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë referuar 119 raste nga të cilët 34 me masë shtënguese.