Drejtori i Policisë së Lezhës Vehbi Bushati është shkarkuar nga detyra për shkak të procesit të Vettingut. Sipas të dhënave të bëra me dije nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mësohet se ai nuk ka plotësuar dhe dorëzuar formularët e deklarimit të Pasurisë, deklaratën e Kontrollit të Figurës dhe formularin e Vlerësimit të Aftësive Profesionale, por ka zgjedhur që të mos plotësojë asgjë. Ndaj edhe është shkarkuar nga detyra e tij si drejtori i Policisë së Shtetit në Lezhë.
Bushati ka 45 ditë kohë që të apelojë vendimin e marrë ndaj tij
“Subjekti i Vlerësimit Z. Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë nuk ka plotësuar dhe dorëzuar formularët e deklarimit të Pasurisë, deklaratën e Kontrollit të Figurës dhe formularin e Vlerësimit të Aftësive Profesionale,”- thuhet në vendim.
Vehbi Bushati u emërua Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës në mars të vitit të kaluar, rreth një vit më parë.
Vendimi i AMP për Vehbi Bushatin për:
1.Largimin nga pozicionet e përcaktuara në nenin 6 të ligjit 12/2018, i ndryshuar, të subjektit të vlerësimit, z.Vehbi Bushati me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
2.Vendimi i arsyetuar me shkrim i njoftohet Subjektit të Vlerësimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit brenda 15 ditëve nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit.
3.Ky vendim publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë Mbikëqyrjes Policore, në përputhje me pikën 8, të nenit 56, të Ligjit 12/2018, i ndryshuar.
4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 45 ditëve nga data e njoftimit, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.