Kryetari i Partisë Socialdemokratike, Tom Doshi, analizoi fitoren në zgjedhjet lokale. PSD u bë faktor në 14 maj, me votat e marra për këshillat bashkiakë në Shkodër dhe në bashki të tjera, por shpjegimin e dha emisionin “TopStory”, Doshi foli edhe për humbjen e së djathtës në Shkodër, ku fitoi për herë të parë e majta me Benet Becin. Sipas tij, Beci nuk do të fitonte pa mbështetjen e PSD-së.

I ndalur tek akuzat e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha për shit-blerje votash, Doshi thotë se Berisha ka 18 vjet me të njëjtin refren që shpif ndaj tij.

“Më vjen çudi sidomos ditët e fundit që Berisha edhe sot del edhe thotë që unë kam blerë vota. Berisha nuk ka parti. S’ka parti ai. Nuk ka pasur në fletën e votimit emrin, nuk ka pasur Komisioner, numëruesa. E ka braktisur elektorati i djathtë. Luli ka luftuar që Berisha me humb. Në Shkodër, ia bëj të qartë Berishës, në 2021 PS ka marrë 16 mijë vota, PSD 9800 vota, LSI 7500 vota; po t’i mbledhim të gjitha bashkë shkojnë 34 mijë vota. Plus partia e Bashës, se Alibeaj ka qenë kot ka marrë rreth 6 mijë vota. Këto kanë qenë kundër Bardhit. Po ti mbledhim të gjitha bashkë, ku të çojnë? Komisionerë mos të kishin. Berisha ta kërkojë brenda llojit, jo të PSD. Pa PSD Benet Beci nuk fitonte. Janë votat e mia, edhe në 2005. Jam deputeti më i votuar në një zonë të djathtë. Dhe këtu i dhemb Berishës, se i kam marrë elektoratin e djathtë. Edhe këtë herë… në Shkodër jam rritur me 3 mijë vota sepse nuk besojnë më te Berisha, nuk besojnë më te Basha. Lul Basha ka filluar të bëjë takime nëpër pallate me Taulant Ballën. Çfarë t’i besosh atij? Ai më thotë mua nuk ka dalë me bë fushatë. Unë fushatën e kam ba me rrjete sociale, e kam bërë me Instagram, TikTok, ai e bën me mitingje. Edhe vetëm më akuzon më thotë që më del hija jote. Po normale, se unë prej andej jam. Berisha humbi Tropojën. Nuk ka asnjë prespektivë, kanë tradhëti brenda llojit. Gazi shkon tek Berisha, Luli shkon tek Taulanti. Është bërë një llum aty. Gjynah për këtë popull që e trajtojnë kështu. Unë nuk bëj pazare se është turp. Politikën e lidh me karakterin. Berisha ka 18 vjet që thotë të njëjtën gjë për mua. Para një viti isha një lule, tani iu bëra ferrë se humbi Bardhi. Berisha dhe unë jemi non grata. Këto punë na i kanë bërë Luli me shokë edhe mua edhe atij. Por nuk kam dash me u marrë me Berishën. Por nuk po më lë rehat, duhet t’i kthej përgjigje me zor. Të bëjë një parti tijën. Ta regjistrojë në Gjykatë dhe të jetë kryetar partie. Ose të bashkojë partinë, por s’ka gjë në terezi. Tani është kthyer në zëdhënës të një grupi politik,”-tha Tom Doshi.