Nga Jerina Luka.
‘Art House’ ka kënaqësinë të prezantojë edicionin e 6-të të ‘Ekrani i Artit’ i cili do të zhvillohet në Shkodër në datat 31 maj deri më 4 qershor. Eventi gati një javor përmban një program të pasur me shfaqje filmike, ekspozita, takime, punëtori e performanca muzikore.
Festivali i filmit dhe video artit vjen me disa risi, por edhe rikthime. Për herë të parë ‘Ekrani i Artit’ do të ketë një ditë fokusi, të dedikuar filmit dhe videoartit në Suedi.
I lindur si një projekt që kërkon të promovojë lidhjet midis artit bashkëkohor dhe kinemasë dhe i huazuar nga ‘Lo Schermo dell’Arte’, festivali i filmit dhe artit bashkohorë që zhvillohet në Firenze prej vitit 2008 (në bashkëpunim me institucione kulturore, qendra për artin, akademi e universitete italiane e ndërkombëtare), këtë vit ‘Ekrani i Artit’ rikthehet në hapësirën e ‘Kinema Millenium’. Në fakt kinemaja është vendi nga ku festivali nisi udhëtimin e tij gjashtë vite më parë, duke vënë theksin në nevojën që filmi ka për kinemanë si shtëpia e tij e natyrshme, por edhe në nevojën që kinemaja ka për publikun, një vend që zgjon interesin e njëkohësisht edhe nostalgjinë e publikut për kinemanë si një institucion i rëndësishëm në edukimin e brezave përmes artit e kulturës.
Ndërkohë vazhdon vëmendja ndaj filmit experimental dhe videoartit si dhe bashkëpunimin disa vjeçar me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër që zhvillohet në Oberhausen, Gjermani.
Art House ka kënaqësinë t’ju prezantojë drejtorin artistik të këtij edicioni të ‘Ekrani i Artit’, Edi Muka.
Muka është kurator dhe kritik shqiptar i cili jeton në Suedi. Ai për herë të parë zhvillon praktikat kuratoriale në Shqipëri dhe me ndihmesën në skenën e artit dhe kulturës bashkëkohore shqiptare. Ai ka drejtuar dhe punuar në shumë institucione, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Muka ka qenë pedagog i jashtëm pranë Akademisë së Arteve të Bukura, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, kurator i Galerisë Kombëtare të Arteve, bashkëthemelues e drejtor i Bienales së Tiranës dhe Institutit të Artit Bashkëkohor Tiranë, kurator i Qendrës së Artit, Röda Sten, Goteborg, drejtor artistik i Bienales së Goteborgut, etj. Ai ka kuruar një numër të madh ekspozitash e projektesh, ndër të tjera, Pavionin e Parë Shqiptar në Bienalen e Venecias, Bienalen e Goteborgut, Quadrienalen e Medellinit, etj.Prej vitit 2014, Muka është kurator pranë Agjensisë së Artit në Hapësirën Publike, Stockholm, Suedi. Puna e tij ka shtrirje ndërkombëtare dhe bazohet në bashkëpunim të ngushtë me artistët.
Edi Muka i cili ka shprehur entuziazmin e tij për ftesën dhe angazhimin në ‘Ekrani i Artit’ 2023. ‘Programi i sivjetëm, ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, është rezultat i një proçesi dialogu mes grupit përzgjedhës. Filmat në program i përshkon një fill ndërlidhës i cili del në pah përmes dy tipareve kryesore: forca e filmit si një mjet rrëfimi, dhe një vëmendje e posaçme ndaj ‘rrëfimeve të tjera’, alternative, që gjenden kudo përreth nesh, por që egzistojnë përtej asaj që na përcillet si rrëfenja mbizotëruese mbi botën dhe shoqërinë.’ – është shprehur mes të tjerash drejtori artistik i EA 2023, Edi Muka.
Rrëfimet frymëzojnë,informojnë, por edhe ndërtojnë një proces reflektimi duke na njohur me të shkuarën e duke na mundësuar të përfytyrojmë të ardhmen. Rrëfimet gjithashtu, mund edhe të keqpërdoren, të manipulojnë dhetë kthehen në propagandë për pushtetin, cilado qoftë forma e tij. Programi i këtij edicioni sjell filma e video nga artistë nga e gjithë bota të cilët përcjellin rrëfenja të patreguara apo të anashkaluara.
Filmat e këtij edicioni do të shohin dritën në hapsira të ndryshme si ‘Kinema Millenium’, ‘Art House’ dhe Galeria e Arteve Shkodër’. Ndërsa forca magjike e këngës dhe vallëzimit shpaloset në programin e posaçëm që do të shfaqet në ‘Bed Corner’, ku do të shikojmë video të krijuara në bashkëpunim mes artistëve të artit pamor dhe këngëtarëve të njohur të muzikës pop, hiphop dhe elektro.
‘Ekrani i Artit’ do të vazhdojë me rolin e tij të pazëvendsueshëm si pikë takimi për artistë të rinj shqiptarë dhe kuratorë e profesionistë nga bota përmes prezantimit të portofoleve artistike si dhe me aktivitetin edukativ dhe puntorinë me fëmijë, të realizuar në bashkpunim mes shkollave ‘Ismail Qemali’ në Shkodër, ‘Istituto Schweizer’ në Termoli dhe ‘Istituto Comprensivo Costantino Nigra’, në Torino të cilët, nën mbikqyrjen e ‘Fondacionit Merz’, të cilët kanë punuar rreth poetikës krijuese të artistes Mariza Merz.
Rrfime t’tjera
‘Të gjithë kemi patur rastin të përjetojmë çaste vendimtare në jetë – çaste kur rrjedha e lumit të jetës sonë përplaset me diçka që e bën të ndërrojë drejtim. Kjo diçka mund të jetë një njeri, një vend apo një ndodhi që mbetet e rrënjosur thellë brenda nesh. Vetëm kur kthejmë kokën pas në një moment reflektimi, mund t’i shquajmë këto çaste si shenjues që përkunden në detin e mjegullt të kujtesës, duke na mundësuar të vërejmë trajektoren që jeta jonë mori në atë çast për t’u bërë ajo ç’ka është sot. Askush s’mund ta dijë si do dukej jeta jonë nëse nuk do të ishte përplasur me këto shenjues…
Një k’sisoj momenti për mua ka qenë udhëtimi në Shkodër për të marrë pjesë në meshën e parë masive që i parapriu rënies së komunizmit. Ajo u mbajt më 11 Nëntor 1990, pas njëfarë tolerance të regjimit karshi lirive fetare, dhe një javë pas meshës së parë – një meshë e vogël në varrezat e Rrmajit. Megjithë shenjat e dobëta të hapjes nga pushteti, pjesëmarrja në meshë ishte ende një ndërmarrje e rrezikshme. Por njerëzit u dyndën nga të gjitha anët. Së bashku me një grup shokësh klase ne i kërkuam leje profesorit të estetikës për t’u larguar më shpejt, që të mund të kapnim trenin për në Shkodër. Unë kisha qenë në Shkodër edhe më parë për të vizituar mikun tim të vjetër, Adrianin. Çdo udhëtim ishte emocionues sepse Shkodra për mua ishte vendi i rrëfimeve të fshehura, madje të ndaluara, të cilat na zbulonin një botë të ndryshme nga ajo me të cilën na konin përditë. Por ai udhëtim ishte i veçantë sepse për herë të parë në jetën tonë, ato histori, gjërat e ndaluara, po dilnin në pah. Dhe ne do të mund t’i përjetonim në vetë të parë, në mish e gjak, aty ku gjithçka po ndodhte. Adriani e hapi shtëpinë e tij për ne atë natë për të na strehuar të gjithëve.
Sot, shumë vjet më pas, e njëjta shtëpi që na strehoi atë natë është rindërtuar. Ajo është bërë Art House / Shtëpia e Artit, dhe vazhdon të mikpresë, madje shumë e shumë të tjerë. Dhe unë kam nderin sërish të jem mysafir i saj. Këtë herë, së bashku me Tean e Zefin, po sjellim diçka me vete – një përzgjedhje filmash e videosh nga artistë që do të jenë pjesë e Ekranit të Artit 2023. Filmi, së bashku me fjalën e shkruar dhe të folur, është një nga mjetet më të përsosura që ne njerëzit kemi për të krijuar e përcjellë rrëfime. Rrëfimet nuk rreshtin kurrë së magjepsuri, na informojnë dhe na frymëzojnë e madje kanë dhe fuqinë të na shërojnë. Ato na tregojnë mbi të kaluarën e na ndihmojnë të përfytyrojmë të ardhmen. Por ato edhe mund të keqpërdoren, të na manipulojnë e të kthehen në propagandë për pushtetin, cilado qoftë forma e tij. Filmat që ne kemi përzgjedhur sjellin rrëfime të patreguara mbi njerëz, vende dhe ngjarje, të kahershme dhe bashkëkohore. Ashtu si rrëfimet e ndaluara të Shkodrës vite më parë, ato na ndihmojnë të zbulojmë një realitet të ndryshëm nga ai që na ofrohet dhunshëm nga makineria gjigante e fjalëve dhe imazheve. Ato na flasin për jetë të vogla që janë guri i themelit i shoqërive tona; na tregojnë për trashëgimninë e kolonializmit në botën ku jetojmë, për margjinalizimin e bashkësive, për ngritjen e racizmit në sistem dhe për efektet dramatike që logjika e përfitimit me çdo mjet ka në shkatërrimin e mjedisit. Por ato hapin gjithashtu dritare të shndritshme mbi përpjekjet dhe arritjet shpresëplota të lëvizjeve për drejtësi shoqërore, mbi botën e mahnitshme tej-njerëzore që na rrethon, mbi poezinë e së përditshmes dhe magjinë e parezistueshme të këngës dhe muzikës.
Unë e di që nuk është e lehtë të sfidosh pikpamjet mbi botën të ngulitura në vite e shekuj ashtu siç nuk është e lehte të sfidosh makineritë e fuqishme që prodhojnë rrëfime në shërbim të pushtetarëve të kohës sonë. Por historia ime e vogël me Shkodrën ka treguar se kjo gjë është e mundur. Prandaj jam i lumtur që permes Ekranit të Artit, Shkodra edhe njëherë kthehet në vendin e rrëfimeve të tjera.’
Edi Muka
Fokus: Suedia
Për herë të parë ‘Ekrani i Artit’ provon një format të ri – një ditë programi dedikuar filmit dhe videos nga një skenë e caktuar artistike. Përmes bashkëpunimit me arkivin e filmave të artistëve, ‘Film Form’ dhe Ambasadën Suedeze në Tiranë, Ekrani i Artit do të prezantojë një përzgjedhje të pasur filmash historikë dhe bashkëkohorë, eksperimentalë, dhe dokumentarë artistik nga artiste/ë e regjisore/ë suedeze.
Edicioni i 6-të i festivali të filmit dhe video artit, si çdo vit ka kuratorët e tij të cilët me kujdes bëjnë përzgjedhjet e filmave. Njëra prej tyre, më e reja në moshë në fakt, është Tea Paci.
Ajo jeton e punon në Milano, Itali. Pas studimeve në degën Dramë dhe Arte Vizive në Universitetin e Bolonjës, ajo ka kryer Masterin ne Universitetin Goldsmith të Londrës për Film and Screen Studies. Ka bashkëpunuar me instutucione kulturore si ICA në Londer dhe Cinema Beltrade në Milano. Ndër vite ka qenë pjesë e jurive në festivale ku mund të përmendet IsReal Film Festival dhe Bellaria Film Festival. Tea ka punuar dhe vazhdon të punojë në role të ndryshme në kuadrin e festivaleve që fokusohen tek imazhi në lëvizje, kinemaja eksperimentale dhe dokumentari (Filmmaker Festival, Festival dei Popoli). Kjo është hera e tretë që ajo bëhet pjesë e ‘Ekrani i Artit’ ku në dy edicionet e fundit ka kuruar një përzgjedhje filmash e videosh. Sipas Teas: ‘Festivalet e filmit janë për të mënyra më e plotë për ta jetuar kinemanë si një inkubator social dhe kreativ. Krijimi i hapësirave që i lejon njerëzve të takohen dhe të përjetojnë imazhin në lëvizje është diçka që e apasionon vazhdimisht.’
Një tjetër kurator i ‘Ekrani i Artit’ është artisti Zef Paci (1963, Shkodër) , njëkohësisht profesor i Historisë së Artit dhe i Pikturës në Fakultetin e Arteve të Bukura, pranë Universitetit të Arteve, Tiranë. Ai gjithashtu është autor artikujsh e esesh mbi artin pamor shqiptar e fotografinë dhe pjesëmarrës në konferenca e workshope: ‘Marubi, fotografia si ritual’, Princ (2012); ‘The History of European Photography 1939 – 1969’. Ka një veprimtari kuratoriale të një sërë ekspozitash vetjake dhe në grup: ‘Vështrimi nuk i lë gjërat e pandryshuara’ (2005) në Galerinë e Arteve të Shkodrës (GASH); ‘Vizatimet e pashfaquna të Edi Hilës’ (2008); ‘Franc Ashiku publik dhe privat’ (2009); ‘Ndër kohë’, ekspozitë vetjake e artistit Edi Hila në Zeta Galeri (2010); ‘Çmimi Idromeno’ (2008, 2010, 2013, 2015, 2017) në GASH ; ‘Çmimi Ardhje’ (2009, 2010, 2011, 2012) për artistët e rinj në Zeta Galeri dhe FAP; ‘Marubi, life in images’ në GR Gallery, Connecticut, USA (2017); ‘Persona’ ekspozitë personale e Lekë Tasit në Art House, Shkodër (2017), ‘Marubi il rituale fotografico’ në Triennale di Milano (2018), ‘Lekë Tasi, Vizatimet e një jete’ nga Harabel dhe Universiteti i Arteve në Galerinë FAB (2019); ‘Pjetër Rraboshta’ në Muzeun Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’(2021); ‘Dramamine’ ekspozitë e artistit Lek M. Gjeloshi në Bazament (2021); ‘Rerouting’ ekspozitë personale e artistit George Pali në GR Gallery, Connecticut, USA (2022); ‘Bric\k/olage’, ekspozitë e skulptorit kosovar ‘Guri Çavdarbasha’ në GASH (2023).
Në këtë edicion të ‘Ekrani i Artit’ Zefi ka një tjetër kontribut disi të veçantë për festivalin, pasi kati përdhe i shtëpisë së Zef Pacit do të shndërrohen në hapësira projeksioni të videove të artistëve si Alberta Whittle e Diego Marcon, ndërsa një moment i posaçëm do t’i kushtohet edhe prezantimit të librit ‘Memory of the Air’ të artistëve Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita një projekt kërkimor mbi imazhe të arkivit Marubi të ruajtura në koleksione familjare, që u përcoll së pari përmes ekspozitës me të njëjtin titull, të inauguruar në janar 2022 në Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” nën kurimin e Gabi Scardi-t.
Art House dhe kati përdhe i shtëpisë së Zef Pacit do të shndërrohen në hapësira projeksioni të videove të artistëve Alberta Whittle e Diego Marcon ndërsa një moment i posaçëm do t’i kushtohet edhe prezantimit të librit “Memory of the Air” të artistëve Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita një projekt kërkimor mbi imazhe të arkivit Marubi të ruajtura në koleksione familjare, që u përcoll së pari përmes ekspozitës me të njëjtin titull, të inauguruar në janar 2022 në Muzeu Kombëtar i Fotografisë ‘Marubi’ nën kurimin e Gabi Scardi-t.
Gjithashtu muzika, si prurje e artistëve bashkëkohorë, do të shoqërojë netët e ‘Ekrani i Artit’. Ky dimension arti në fakt është prezent që nga edicioni i dytë i festivalit. Më specifikisht, ‘Fuqia magjike e këngës’ është një përzgjedhje e kuruar nga Edi Muka ku sjell një program me video muzikore të krijuara nga artistë që performojnë vetë apo bashkëpunojnë me muzikantë e këngëtarë, profesionistë apo amatorë. Në to takojmë individë dhe komunitete në jetën e përditshme, ndjekim tradita dhe rituale popullore muzikore, përballemi me kritikë e satirë ndaj pozicionit të artistit në shoqëri, apo ndeshemi me tema të mëdha të kohës si emigrimi apo shpërngulja e njerëzve. Videot shpalosin fuqinë magjike të këngës dhe muzikës e cila tejkalon barrierën e gjuhës, duke i folur drejtpërdrejt shpirtit të njeriut.
Marrëdhënia me muzikën do të shpaloset në ‘Bed Station Hostel & Bar’, një club ikonik i qytetit të Shkodrës i cili ka vite tashmë që kontribuon në jetën e natës së qytetit, me propozime dee jay, grupesh muzikore, stand up komedi e ekspozitash. Këtu do të shfaqen video të krijuara nga bashkëpunimi mes artistëve pamorë dhe këngëtarëve të njohur të muzikës pop, hip hop dhe elektro.
Ekrani buzë liqenit është një risi e vitit të shkuar. Një pjesë e programit filmik u shfaq darkën vonë, në ekranin e instaluar pranë Liqenit të Shkodrës. Në këtë edicion, mbas shfaqjes së filmit të fundit, hapësira e projeksionit do të kthehet në skenë muzikore me performanca të artistëve të ftuar.