PSD u bë faktor në 14 maj, me votat e marra për këshillat bashkiakë në Shkodër dhe në bashki të tjera.
Gjatë intervistës me gazetarin Juxhin Mustafaraj, Doshi foli edhe për humbjen e së djathtës në Shkodër, ku fitoi për herë të parë e majta me Benet Becin. Sipas tij, Beci nuk do të fitonte pa mbështetjen e PSD-së.
“Në vitin 2021, Partia Socialiste ka marrë 16 mijë vota. Partia Socialdemokrate ka marrë 9800 vota, LSI 750 vota. Të gjitha shkojnë 34 mijë vota. Partia e Bashës ka qenë kot, ka marrë rreth 6000 vota. Kanë qenë vota kundër Bardhit. Benet Beci ka marrë atë rezultat, sepse ka pasur të gjithë këta faktorë me vete.
Janë votat e mia, edhe në 2005. Jam deputeti më i votuar në një zonë të djathtë. Dhe këtu i dhemb Berishës, se i kam marrë elektoratin e djathtë. Edhe këtë herë… sepse nuk besojnë më te Berisha, nuk besojnë më te Basha. Lul Basha ka filluar të bëjë takime nëpër pallate me Taulant Ballën. Çfarë t’i besosh atij?”
Sipas Doshit, Lulzim Basha ka mbështetur kandidatin socialist dhe ka pasur qëllim që Sali Berisha të humbasë.
“Më vjen çudi që Berisha del sot dhe thotë që unë kam blerë vota. Berisha së pari, nuk ka parti. Sali Berisha nuk ka ekzistuar në fletën e votimit. Nuk ka pasur komisionerë, nuk ka pasur numërues.
Luli ka luftuar që Berisha të humbasë. Kemi rastin e Shkodrës, meqë Berishës i dhemb shumë Shkodra, e ka ruajtur si kala. Komisionerët e partisë së Lulzim Bashës i ka gjetur Partia Socialiste, se as komisioner nuk kishin. Ata kërkojnë përgjigjen brenda llojit, mos të vijnë ta kërkojnë te unë, as te PSD”.