Kreu i ri i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka thënë fjalën e tij “të fundit” lidhur me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në fjalën e tij gjatë emisionit “Opinion”, Bardhi u shpreh se rruga e tij me kryedemokratin Berisha është e ndarë përfundimisht, e se ky i fundit tashmë duhet t’i hapë rrugën një lidershipi të ri dhe të heqë dorë nga të qenurit aktiv në vendimmarrje brenda selisë blu.

PJESË NGA BISEDA:

Blendi Fevziu: Cili është mendimi juaj konkret për Sali Berishën?

Gazment Bardhi: E kam thënë dhe besoj që nuk shtoj asgjë në këtë debatin publik. Unë mendoj që zoti Berisha ka dhënë shumë për Shqipërinë, por do duhet t’i hapë rrugën një lidershipi të ri në PD dhe do duhet të heqë dorë nga të qenurit aktiv në vendimmarrje brenda Partisë Demokratike. Edhe rezultati i zgjedhjeve edhe pse nuk kam dashur ta komentoj, tregon që qytetarët shqiptarë, por veçanërisht edhe demokratët duan diçka të re brenda Partisë Demokratike.

Sipas tij, një zgjidhje është largimi përfundimtar i Berishës, në mënyrë që PD-ja të krijojë një ekip dhe jo një lider. Bardhi tha se i rëndësishëm është ekipi dhe ai drejtues që do të vendoset të ndajë përgjegjësinë mes anëtarëve të një skuadre të gjerë.

“Nuk dua të futem në emra. Është shumë e vështirë të prodhohen lidera në një parti politike sidomos në Shqipëri. Sikundër edhe prodhimi i liderave në 100 vite 200 lidera është e pamundur. Në gjykimin tim Partia Demokratike ka nevojë për një ekip, nuk ka nevojë për një lider. Sigurisht do të ketë një drejtues, por ai apo ajo do duhet të jetë drejtuesi që ndan përgjegjësitë e një ekipi të gjerë që plotësojnë njëri-tjetrin. Kështu e shikoj unë të ardhmen e Partisë Demokratike,”-shtoi ai ndër të tjera.