Bardh Spahia, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që humbi zgjedhjet në Shkodër, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për rezultatin e zgjedhjeve, duke u ndalur edhe te fenomeni Tom Doshi.

Sipas Spahisë, Doshi ka ndikuar në rezultat duke marrë vota nëpërmjet favoreve dhe premtimeve për vende pune.

I pyetur nga Ylli Rakipi, nëse disponon prova për këtë, ai deklaroi se provat nuk janë të thjeshta për t’u gjetur, pasi ato duhet ti sigurojnë autoritete të specializuara.

Bardh Spahia: E para fenomeni Tom Doshi nuk duhet parë si i ndarë nga puzzle i përgjithshëm i kryeministrit Rama, për të maksimalizuar grumbullimin e votës. Ato janë një parti, që funksionon në bazë të kryetarit dhe ata që kontribuojnë për marrjen e votës.
Në këtë kontekst, Edi Rama si dirigjenti kryesor i grumbullimit të këtij konglomerati, ku përfshihen ato politike, drejtues institucionesh dhe njerëz të botës së krimit, ka parë edhe përdorimin e partisë së Tom Doshit në zonat ku ka influencë. Zona ekstremisht të varfëra.
Modeli se si e marrin votën është i ditur, ose nëpërmjet premtimeve për vende pune, çka është dominante. Mos harrojmë që është parti që i janë lënë në drejtim disa institucione. Përdorin burimet njerëzore për të maksimalizuar votën. Është pjesë e atij puzzle që ka ngritur Edi Rama. Shikohet qartë, rritja e një partie si kjo e Tom Doshit me vota, çka nuk justifikohet nga oferta ekonomike apo politike. Të bën të mendosh se ka mënyra të reja.

Ylli Rakipi: Ne mund të kemi dyshime serioze, por a kemi prova për zotin Doshi?

Bardh Spahia: Si mund të ketë prova? Si mund ta dokumentosh? Ka organe të specializuara për këtë që nuk e kanë bërë, madje kanë qenë në mbrojtje të tjetërisimit të votave.

Ylli Rakipi: Ju nuk kishit dyshime për Tom Doshin që të mblidhnit edhe prova? Të fusnit njerëzit tuaj? Një parti politike është forcë e madhe. Keni prova të tilla? Nëse vota blihet në mënyrë masive është e thjeshtë ta kapësh.

Bardh Spahia: Jo nuk është fare e thjeshtë. Kërkon punë të specializuar.

Ylli Rakipi: E di pse insistoj, sepse përveç jush që foli edhe përpara, askush nga opozita nuk foli për banda dhe gjëra të tilla. Papritur dolën të hënën dhe thanë që u vodhën zgjedhjet.