Të nderuar bashkëqytetarë!

Procedurat për të marrë zyrtarisht detyrën që ju më ngarkuat po ndjekin ecurinë e duhur ligjore.

Duke më zgjedhur për kryetar bashkie të qytetit tonë, më keni vënë në pozita të forta përgjegjësie e për këtë ju jap fjalën që do të bëj të pamundurën të jem në lartësinë e duhur. Teksa kam nisur detajimet e bashkëpunimet që shumë punë të mira të nisin me të ardhur në detyrë, ju siguroj se kam qenë shumë i vëmendshëm në ato që ju keni thënë.
Kjo javë ka qenë e mbushur me biseda, mesazhe, telefonata, takime..urimet tuaja janë të mirëpritura. Kam parë shumë statuse, shkrime, letra të hapura që më janë drejtuar. Ajo që më entuziazmon më shumë është nevoja e secilit prej jush për t’u përfshirë, për të dhënë ide, për të vënë kontakte, për të nisë bashkë rrugëtimin në një bashki të hapur ku çdokush jep më të mirën. Ju falënderoj shumë e uroj që plot të tjerë të na bashkohen për të gjetur rrugët e bashkëpunimit, punës dhe përpjekjeve për ta bërë Shkodrën tonë një gravitet të së mirës.