Revolta e burgut të Spaçit, ishte një kryengritje dy ditore e të burgosurve politikë të burgut të Spaçit, e cila nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati deri më 23 maj. Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht.

Revolta nisi më 21 maj 1973, në orën 5:30 të mëngjesit, kur i dënuari Pal Gjergj Zefi, pas një muaji izolim në qeli, iu hap dera nga gardiani për ti komunikuar se i kishte përfunduar vuajtja në izolim. Zefi në momentin e lirimit nga izolimi, largohet me vrap nga rojet, dhe hipën në një tarracë të repartit, duke mbajtur një shufër hekuri në dorë dhe duke kërcënuar se do të godiste çdo gardian që i afrohej. Në ato momente, të lodhur nga puna e rëndë, ushqimi i keq, dhuna fizike dhe nëpërkëmbja e dinjitetit, disa bashkëvuajtës të Zefit, bashkohen me të dhe këtu merr nismën revolta e të dënuarve, e cila zgjati për dy ditë. Në orë 21.00, në oborr ndizet një zjarr i madh, nga një i burgosur 64 vjeçar me emrin Jemin Gjoka nga Kukësi dhe Dod Bardhi. Disa të burgosur të tjerë nisën të shkatërronin stendat prej druri të emulacionit socialist dhe po i hidhnin në zjarr.

Të dënuarit hodhën edhe parrulla politike si: Poshtë komunizmi dhe Rroftë Shqipëria e Lirë. Sipas dëshmitarëve, në atë revoltë, për herë të parë u artikulua shprehja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Rreth orës 03.00 të mengjesit të datës 22 maj, në kamp mbërriti zv.Ministri i Brendhsëm Feçor Shehu. Pasi zbardhi dita, rojet vunë re se, në katin e tretë të pallatit të burgosurit kishin ngritur një flamur të kuq, me shqiponjën në mes dhe pa yllin e kuq. Sipas të dhënave që u mblodhën më pas, shqiponjën mbi flamur e kishte bërë Mersin Vlashi. Flamurin e kishte ngritur Gjet Kadeli, Rexhep Lazri dhe Murat Marta. Ndrec Çoku bënte roje të flamuri.

Në orën 08.00 Feçor Shehu ju bën thirrje të burgosuve t’i rikthehen normalitetit, por pa rezultat. Në mëngjesin e datës 22, në burg vjen operativi Fejzi Liçka, i cili fillon të arrestojë e dhunojë personat që nuk kishin dalë në punë. Sipas dëshmive, në hyrje të mencës, nis një përplasje fizike mes të burgosurve dhe policisë. Policia tentoi të fuste në izolim Gjokë Zefin, por të burgosurit e tjerë i dolën në mbrojtje. Ndonëse revolta kishte filluar spontanisht, nga raportet e autoriteteve, por edhe nga intesiteti i veprimeve gjatë ditës, u pa qartë që ajo kishte kaluar në një fazë tjetër, më të organizuar dhe me një karakter më të theksuar politik. Një përfaqësi e përbërë nga tre të burgosur u takua ditën e dytë me Feçor Shehun. Ata kërkuan të mos dënohej asnjë fajtor, të mos punohej më në minierë, por në ndërtim dhe të bëhej një amnisti.

Ditën e dytë të revoltës, autoriteteve të burgut ju shtuan përforcime nga forcat ushtarake të Burrelit, të cilët erdhën në burg me 27 makina, ku sipas dëshmitarëve, sollën dhe lëndë kimike helmuese. Ditën e tretë u shtua një grup tjetër policësh, mbi 100 veta, të cilët ndihmuan në shtypjen e protestës, duke shtuar arrestimet dhe duke lidhur të burgosurit me njëri-tjetrin. Një prej gjesteve simbolike dhe domethënëse që shënoi kulmin e revoltës ishte ngritja e flamurit kombëtar pa yllin komunist, mbi tarracën e njërës prej fjetoreve, i cili ishte improvizuar me mjete rrethanore nga të burgosurit.

Revolta e të burgosurve të Spaçit ishte një lëvizje politike. Ajo vërtet shpërtheu në mënyrë spontane në mbrojtje të jetës së shokut të tyre Pal Zefit, por menjëherë mori formë të përgjithshme e të organizuar me një shtab drejtues e me kërkesa kryesisht politike të përcaktuara.

Revolta e Spaçit u shtyp dhunshëm nga regjimi, duke dënuar kryengritësit, me dënime që varionin nga 25 vite shtesë në dënimin fillestar me burgim, deri në pushkatim. U arrestuan menjëherë 68 të dënuar. 12 prej tyre u gjykuan dhe u dënuan qysh në datën 24 maj nga Kolegji i Gjykatës së Lartë. Motivacion për dënimet e dhëna nga autoritetet ishte “djegia e tabelave të emulacionit socialist, ngritja të flamurit pa yll, shkruarja e parullave armiqësore dhe afishimi i tyre, si edhe parrulla të hedhura me gojë më mënyrë demonstrative me përmbajtje thellësisht armiqësore”[5]

Të burgosurit u arrestuan sërish, dhe një pjesë e madhe e tyre u dërgua në Tiranë, për hetim. Dëshmitarët tregojnë për tortura gjatë hetuesisë në Tiranë. Më pas ata u dërguan sërish në Rrëshen, për tu përballur me gjyqin dhe dënimet. Në gjyqin e Rrëshenit, prokurori quhej Zef Deda dhe kryetar i trupës gjykuese ishte Filip Lako.

Dënimet
80 të burgosur u ridënuan, ndërsa 4 prej tyre u ekzekutuan. Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai. Për të marrë situatën në kontroll, ishte ngarkuar zv.Ministri i Brendshëm Feçor Shehu. Sipas dëshmive, ndonëse ishin planifikuar të vriteshin 3 persona me anë të një gjyqi special që u zhvillua atë natë, një i katërt ju shtua listës. Hajri Pashaj, bashkëfshatar i Feçor Shehut, iu shtua listës së pushkatuarve, ndonëse nuk ishte i përfshirë aktivisht në protestë. Shkak për t’u futur në listën e të pushkatuarve ishte se Hajriu iu drejtua ashpër Feçor Shehut duke i thënë se një ditë do të përgjigjesh për këtë masakër. Të dënuarit me pushkatim, u vranë në orët e vona të mesnatës në malet e thepisura dhe pyjet e Mirditës.

Por pavarësisht masave të marra nga komanda, në burg nuk kishte qetësi, sidomos kur ndodhnin ngjarje të rëndësishme në shtetin shqiptar, siç ishte për shembull prishja e marrëdhënieve me Kinën. Në vitin 1978 Sigurimi njoftonte Ministrinë e Brendshme se gjendja në burgun e Spaçit ishte e rënduar, madje ishin në prag të një revolte tjetër, të ngjashme me atë të vitit 1973. Në vitin 1974, pra një vit pas revoltës, në këtë burg ishin rreth 500 të dënuar. Katër vite më vonë, në nëntor të vitit 1978, numri i të burgosurve u rrit në 934 të dënuar politikë dhe 27 të dënuar për krime ordinere. Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës së rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, megjithë dhunën dhe presionin e diktaturës.