Pas fitores së thellë në zgjedhjet e 14 majit, kryeministri Edi Rama nisi turin e falënderimeve nga Shkodra. Ai fillimisht zhvilloi një vizitë te muzeu i krimeve të komunizmit, për të cilin thotë se do ta transformojnë për ta kthyer në një destinacion kyç për turistët por edhe nxënësit shqiptarë kudo që jetojnë. Rama shoqërohej në këtë vizitë nga Benet Beci dhe Elisa Spiropali. Pas pak, kreu i qeverisë do të zhvillojë një takim me anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak, ku PS mori shumicën.
PS do ta drejtojë Shkodrën për herë të parë në histori, e prandaj ky tur do të nisë nga bastioni i të djathtëve që u thye nga socialistët më 14 maj me një diferencë të thellë mbi 10 mijë vota nga koalicioni Bashkë Fitojmë. Është zgjedhur Shkodra për të nisur turin, pasi vetë kryeministri tha se do t’i falënderojë shkodranët për këtë mundësi që u dhanë, ndërsa do të prezantojë para tyre edhe projektet që kanë për Shkodrën, për të cilën Rama ka thënë se tashmë do të nisë një histori të re.
Shkodra do të drejtohet nga Benet Beci katër vitet e ardhshme, ndërsa ai mundi kandidatin e Bashkë Fitojmë Bardh Spahinë. Në zgjedhjet vendore, PS arriti të marrë 53 bashki, si edhe siguroi shumicën në të gjithë këshillat bashkiakë. Bashkë Fitojmë pësoi një disfatë duke fituar vetëm 7 bashki në të gjithë vendin.