FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN E PËRJAVSHME ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi sot në konferencën e përjavshme të zhvilluar me gazetarët aferën kriminale të farsës elektorale të 14 majit, duke dhënë detaje të reja të lidhjeve të krimit me regjimin në këto zgjedhje.
Berisha ka deklaruar se, komisionerëve të opozitës në Shkodër i janë ofruar nga 10 mijë euro, deri në 20 milionë lekë që të bëheshin palë me regjimin në këtë farsë elektorale. Në Lezhë, nën mbrojtjen e Policisë së Lezhës, bandat shpërndanë para dhe terror gjatë gjithë natës në zonat e ndryshme të rrethit të Lezhës. Bandat në Peshkopi, ishin nën mbrojtjen e Ballukes, e cila shoqërohej me banditë.
Lideri i opozitës u shpreh se, bandat e kthyera nga Dubai në Durrës, në Elbasan dhe vende të tjera, diktuan nën mbrojtjen e policisë vullnetin e qytetarëve.
Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi pushtimin e qendrave të votimit nga bandit në Velipojë, ku deklaroi se në Mamuras vota u ble deri në 600 euro.
Berisha tha, se dëshmia më e zezë dhe më e turpshme e blerjes së votës është rasti i partisë së Tom Doshit në veri të vendit. Ai nuk bëri asnjë ditë fushatë, por rezulton të jetë kryesues në disa zona në veri vetëm për shkak të blerjes së votës.
Berisha i bëri thirrje mediave të zbardhin krimin elektorale të 14 majit. Ai u shpreh se propaganda e regjimit synon të largojë vëmendjen nga masakra elektorale e 14 majit më alibinë e zhvillimeve brenda në PD.
Kryetari i PD, u shpreh se çdo demokrat duhet ta dijë se mbrojtja e votës dhe zbardhja e masakrës elektorale është detyrimi madhor para çdo zgjedhësi shqiptar.
Berisha u tha se ai nuk do të njohë asnjë strukturë paralele që ngrihet nga jashtë PD.