Deklaratë e PD, Komisioni i Rithemelimit Shkodër

MEGA MASHTRIMI PUBLIK I EDI RAMES DHE HESHTJA E TURPSHME E KANDIDATIT TË TIJ!
Në mënyrë abuzive, prej ditës së parë të fushatës elektorale dhe deri në ditën e fundit të saj, Edi Rama nuk ka rreshtur se gënjyeri shkodranët dhe shqiptarët, duke shfaqur atë që di të bëjë më mirë. Kryeministri shqiptar zgjodhi që për të sulmuar Bashkinë Shkodër, të ndërtonte një model fushate ku GËNJESHTRA e MASHTRIMI të ishin kryefjalë. Ai zgjodhi të listonte disa investime që gjoja Bashkia ishte bërë pengesë, mes të cilave rasti më i fundit ishte ai i investimit “Ndërtim i Ujësjellësit të Fshatit Zogaj”. Por cila është e vërteta e këtij investimi dhe kush është në të vërtetë penguesi që investimi nuk ka filluar, Bashkia apo Qeveria, shqiptarët nuk kanë se si ta mësojnë nga goja e një njeriu që ka konflikt të fortë me “TË VËRTETËN”. Gjendur në këto rrethana, po publikojmë shkresën me nr.3005/1 Prot, date 09.05.2023, ngarkuar në sistemin elektronik të lejeve me datë 10.05.2023, në të cilën shkruhet e zeza mbi të bardhë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit se:
“Projekti duhet ti nënshtrohet procedures së VNM-së (Vlerësimi i Ndikimit në mjedis) sipas shtojcave I &II të ligjit nr.10440, datë 07.07.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis i ndryshuar”.
Në rast se sipërfaqja prek fond pyjor, subjekti duhet të bëjë kërkese pranë strukturës përgjegjëse për pyjet në ministrinë e turizmit dhe mjedisit lidhur me procedurat për marrjen në përdorim apo heqje nga fondi pyjor”.
Gjendur përballë këtij fakti, Bashkia Shkodër e cila deri në këtë pikë ka kryer të gjitha detyrimet që i përcakton ligji për mos tu bërë pengesë apo zvarritëse e këtij investimi, duhet që të presë për të miratuar lejen e Infrastrukturës, miratimin e VNM-së nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila duhet të jetë e hartuar nga projektuesit e Investimit, që në rastin në fjalë është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
E gjithë kjo procedurë e tejzgjatur dhe zvarritje e nisjes së punimeve ka ardhur për shkakun e vetëm të mangësive në projektin e hartuar nga ana e institucioneve qeveritare, përfshirë edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Opinioni i shprehur nga Ministria e Mjedisit me shkresën e sipërcituar, tregon qartazi që projekti nuk është i plotë dhe në këtë mes Bashkia Shkodër nuk ka asnjë përgjegjësi. Edi Rama përpara se të lëshohet në sulme e akuza politike të rreme, duhet që së paku të informohet në mënyrën e duhur nga vartësit e tij dhe të mos e shtojë listën e GËNJESHTRAVE me shpresën se shkodranët mund të mashtrohen prej tij e t’u marrë votën. Siç thotë proverbi Latin: Verba volant, scripta manent (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet), E VËRTETA e vetme në këtë mes janë shkresat zyrtare dhe jo përrallat e kryeministrit në Fushatë.