9 maj 2016, 7 vjet më parë, ne zgjodhëm Ditën e Europës për të çelur në Shkodër Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi.

Procesi për ta konkretizuar këtë nismë zgjati 2 vjet që nga konkursi ndërkombëtar, gjetja e pesë donatorëve për financim, procesi i muzealizimit dhe zbatimi i tij në terren. Përveçse një shtëpi të sigurt për mijëra negativë filmash të dinastisë Marubi e të tjerë fotografëve shqiptarë, Muzeu u kthye në një oaz kulture, që tërheq gjithnjë e më shumë turistë e vizitorë.

Jam mirënjohës e falenderues për të gjithë kolegët e bashkëpunëtorët, vendas e të huaj që u bënë pjesë e kësaj përvoje që s’kishte ndodhur kurrë më parë në Shqipëri.

Unë kam në programin tim ndërtimin e dy muzeve të rinj, atë të lundrimit dhe të biodiversitetit të liqenit, si dhe restaurimin e dy muzeve të tjerë. Shkodra duhet të krijojë itinerarin kulturor jo vetëm si një tribut për historinë e trashëgiminë e qytetit. Kjo ofertë e pasuruar kulturore sjell më shumë kërkesë nga vizitorët, e ne mundemi me i tregu të gjithëve që krenaria jonë ka rrënjë të forta dhe tashmë të shpluhurosura, e kthejnë Shkodrën aty ku meriton të jetë.