Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
A do të mund të pranojnë njerëzit të vërtetën, se ndryshimi i drejtimit të qytetit të Shkodrës është një domosdoshmëri? A është vërtetë qyteti i lashtë kaq konservator në mendimin e tij qytetar, saqë të jetë i zhytur në istikamin e tij politik dhe të mos dëgjojë kumbimin e së ardhmes?
Ditën e djeshme unë botova në DITA shkrimin: “Një kafe me Benet Becin”, dhe natyrisht më erdhi mirë që shkrimi u përsërit në shumë portale, edhe brenda Shqipërisë londineze, por edhe në atë që Kadare e quan, ‘Shqipëria e jashtme’.
Më erdhi, po ashtu, mirë që njerëzit e bënë pjesë të debatit të tyre, pavarësisht nga marrëveshjet apo moskuptimet. Njerëzit e mençur thonin dikur se “unë nuk jam dakord me mendimin tënd, por do të bëj gjithçka mundem të dëgjoj mendimin tënd”.
Ndaj e dëgjoj me vëmendje edhe mendimin e kundërt, edhe kur ai është vulgar, pa ide dhe gjithë mllef.
Nëse Benet Beci do të ishte kandidat i së djathtës, si kryetar për bashkinë e Shkodrës, jam i bindur se e gjithë ajo pjesë e qytetit, që mbiquhet e djathtë, do të kishte vërshuar nga gëzimi, pasi, për herë të parë qyteti do të kishte gjetur njeriun e duhur.
Përse nuk është tabu përcaktimi për Benet Becin? Përse atij i duhet besuar Bashkia e Shkodrës? A ka ardhur koha që, edhe në Shkodër, si ka ndodhur kudo në Shqipëri, të ketë rokadë të drejtimit të pushtetit, pa ndërruar bindjet politike e qytetare të njerëzve?
Nuk mund të jetë tabu. Në asnjë mënyrë. Benet Beci është njëri ndër figurat menaxhuese më të spikatura në Shqipëri. Shumë vepra janë të lidhura me punën e tij drejtuese. Rruga drejt Vermoshit, për shembull. Lungomare në Vlorë. Shëtitorja në Shirokë. Qindra vepra të tjera. Ai është njeri që e do politikën për të bërë punë të mëdha, dhe jo për hir të politikës.
Ka punuar me të djathtë dhe të majtë, pa krijuar konflikte, sepse njeriu i punës nuk është militant, aq më pak mitingash.
I duhet besuar Bashkia e Shkodrës, pasi 32 vite dëshmuan se nuk ecet më tej në shejtninë e një zgjedhje politike. Për hir të “konseguencës partiake”, nuk mund të shembesh të ardhmen e një qyteti.
Të gjithë parashikimet e tij, në drejtimin e bashkisë shpien nga e mira, e bukura, funksionalja dhe historikja.
Të lodhur nga mosbesimi i deritanishëm dhe thyerja e shpresës, shumë vetë pyesin: Ku do i gjejë fondet Benet Beci?
Projektet e menduara nga ai nuk kapin shuma të jashtëzakonshme. Menaxhimi i financimeve është primare. E majta në qeverisje ka në prioritetet e saj Shkodrën. Krijimi i Fondit për Zhvillimin e Shkodrës është po ashtu një garanci.
Ka ardhur koha që bashkia e Shkodrës të ketë një vizion të ri. Të mos ecet me ritëm të ngadaltë, por të ketë përmbysjen pozitive. Nëse qyteti e quan veten si bastion i mendimit progresiv europian, atëherë duhet të kuptojë se nuk mund të ecet drejt modernes, aktuales, progresives dhe se ardhmes, nëse frymëzuesit e deri tanishëm janë të padëshiruar për Perëndimin si rrugë e së ardhmes.
Identiteti europian i Shqipërisë ka pasur gjithnjë traditën e tij në këtë qytet, që në kohëra ishte i lidhur me qendrat e kulturës europiane. Nga asnjë qytet tjetër nuk kishte kaq shumë studentë shqiptarë që ishin të shkëlqyer në universitetet e Vjenës, Gracit, Berlinit, Romës; si askush tjetër ky qytet ishte në syrin e qyteteve të mëdha si Venediku, Milano, Firence, Parisi, Londra… askund tjetër nuk u sakrifikuan kaq shumë për iluminizmin, lirinë dhe barazinë.
Kam besuar gjithnjë dhe vazhdoj të besoj se mençuria do e mposhtë verbërinë; se respekti do e mposhtë mllefin, se arsyeja do të jetë mbi mërinë; se e ardhmja do të jetë ndryshe nga e shkuara; se besimi do të jetë më i fuqishëm se dyshimi; se në fund të fundit, pas 32 viteve të humbura, na lejohet të kemi besimin në njeriun që mund të jetë caku i kthesës, i shkallmimit të gardheve politikë dhe krijimit të një mendësie ndryshe, e bashkë me të, edhe të një qyteti ndryshe.
“Shkodra, shkruan Ismail Kadare, jo vetëm mbetet gjithmonë një qendër e madhe e qytetërimit shqiptar, por duhet të kthehet, ndërkaq, në një kështjellë të qytetërimit kontinental në krejt Europën Juglindore”.
Shkodra e ka rastin më 14 maj të dëshmojë këtë.
Reagimi i bashkëqytetarit tim :
Xhavit :
“Unë nuk e kam me Becin, e kam me Ramën që është Kryeministri më negativ me të gjitha të këqiat që ka pasur shteti Shqiptar që nga krijimi i tij. E dyta, Beci përfaqëson një parti që s’ka asnjë ndryshim nga Partia e Punës. E si mund ta besojë Shkodra kandidatin e kësaj partie, Shkodra ndryshon nga gjithë Shqipëria, ajo ka qenë dhe është antikomuniste, është me vlera perëndimore, është popull me dinjitet dhe nuk shitet dhe as blihet, këto vlera që i ka vetëm Shkodra dhe duke parë një Parti Socialiste që s’ka asnjë gjë të përbashkët me Partitë Europiane dhe një Lider autokrat ka, mbetem mbështetës i Partisë Demokratike. Unë nuk jam idhtar i një Partie siç jeni ju, unë jam me demokracinë, me shtetin e së drejtës, me njeriun punëtor dhe të ndershëm, ashtu si Shkodra i ka me shumicë, por Shqipëria i ka me pikatore, ka interesaxhinj dhe lëpirësa, për të gjitha sa thashë, Shkodra nuk ju voton ju të majtët”.
Unë: (vazhdimi i “dialogut”):
“Tungjatjeta!
Zakonisht unë nuk bëj debate në publikimin e shënimeve që hedh në FB. Gjithësecili ka të drejtën e tij të besojë apo të mos besojë në një fakt apo në një të vërtetë. Për shembull, ju nuk besoni te Edi Rama dhe kjo është e drejta juaj. Unë nuk kam besuar që nga fillimi në figurën politike të Sali Berishës, dhe kjo është e drejta ime. Kjo nuk ju bën ju më të mirë nga unë dhe as mua, më të mirë nga ju.
Ju besoni se Partia Socialiste nuk ka asgjë të përbashkët me Partitë Evropiane, mirëpo pikërisht këto parti të Europës, të spektrit të majtë, besojnë se kjo parti, PS, e shkëputur krejtësisht nga e djeshmja, bën pjesë në partitë europiane dhe është e mbështetur prej tyre. Si këto parti besojnë një shumicë e madhe në Shqipëri, më saktë, shumica dërmuese, dhe kjo është e drejta e tyre.
Ju besoni në Partinë Demokratike dhe jeni idhtar i saj, ndoshta më shumë nga sa jam unë idhtar i së majtës. Më ndjeni që nuk pohoj atë që shkruani, por e gjithë kjo është e saktë. Ju besoni se PD është parti e tipit europian, por këtë nuk e beson as vetë Perëndimi, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Anglia dhe shumica e shteteve europiane.
Në takimet e radhës së Partive Popullore, ku bën pjesë edhe PD-ja, ajo nuk është ftuar, është lënë jashtë dyerve, pasi ka zgjedhur si drejtues një figurë politike, e cila, jo vetëm nuk është pranuar nga forcat politike perëndimore, por është damkosur për korrupsion madhor, shantazhim të sistemit të drejtësisë dhe minim të demokracisë.
Lufta që, ai vetë dhe një grup rreth tij, kanë hapur ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit e vlerave të tyre demokratike, përbëjnë rastin më monstruoz në pluralizëm. Ju, edhe sot e kësaj dite, vazhdoni të besoni se nuk është kështu, kjo është e drejta juaj.
Rama është drejtues autokrat, edhe unë jam i një mendimi me ju. Këtë e kam shkruar edhe publikisht, ashtu si nuk kam qenë e nuk jam i një mendje me të për prioritetet themelore financiare, lidhur me Ballkanin e Hapur, korrupsionin, etj. Në shkrimet e mia, botuar në DITA apo diku tjetër, mund t’i gjeni të gjitha këto.
Në 32 vite ne kemi pasur në drejtim, më të shumtën autokratë. Këto edhe kanë qëndruar. Berisha, i cili si e dini edhe ju, ishte komunist katërqind karatesh dhe sekretar i partisë në Fakultetin e Mjekësisë, ka qenë e mbetet prototipi i njeriut autokrat, deri në thelb. Në jetën e tij politike, më së shumti se gjithçka tjetër, rëndon marsi i vitit 1997, vrasjet e ndodhura, piramidat financiare që sollën rrënim, rëndon thirrja për mobilizimin e veriut dhe sulmin ndaj Shqipërisë së jugut, qëndrimi ndaj luftës çlirimtare në Kosovë, grusht-shteti i shtatorit 1998, organizuar së bashku me një grup mercenarësh që kishin dezertuar nga lufta në Kosovë, rëndon Gërdeci, 21 Janari, krijimi i bandave të para politike dhe vjedhja e zgjedhjeve në majin e vitit 1996, burgosjet e njohura, që nga shefi i opozitës; autokrat mbetet edhe Metaj, ish-sekretari i rinisë së fakultetit dhe denoncues i të rinjve, që pasi krijoi partinë e familjes, me cilindo emër ta quajë, mbetet sundimtari brenda llojit të tij, njeriu që përdhosi drejtësinë, edhe kur FBI saktësoi se “ngjarja me bllokun 700 mijë eurosh” ishte e saktë; pra, autokratët kanë mbetur në politikë.
Njëri prej tyre edhe Rama. Është hera e parë që një figurë politike, me bindje thellësisht të djathta, drejton një forcë politike që quhet e majtë. Ashtu si një figurë politike, me rrënjë thellësisht të majta dhe me bindje rreptësisht të majta ekstreme, drejton të djathtën e Foltores.
Ju më shkruani se “Beci përfaqëson një parti që s’ka asnjë ndryshim nga Partia e Punës. E si mund ta besojë Shkodra kandidatin e kësaj partie, Shkodra ndryshon nga gjithë Shqipëria, ajo ka qenë dhe është antikomuniste, është me vlera perëndimore, është popull me dinjitet dhe nuk shitet dhe as blihet, këto vlera që i ka vetëm Shkodra”.
Më vjen mirë që në fillimin e reagimit tuaj, edhe pse pa dashur, vlerësoni figurën e Benet Becit. Unë për këtë kam bërë shënimin tim. Por, jam në të drejtën time të besoj se Shkodra është ashtu si e gjithë Shqipëria, me vlerat dhe huqet e saj, me mençurinë dhe kokëshkrepjet e saj, me të mirat dhe mangësitë, antikomuniste si shumë qendra të tjera, por edhe tolerante ndaj të tjerëve, e nënvlerësuar dhe e ringritur, e brishtë dhe e fuqishme.
Shkodra është qytet që e do demokracinë, si e do i gjithë vendi. Ajo ka pasur reprezaljet e saj, si ka pasur edhe ringritje. Figura të shquara, nga dyer të njohura dhe familje atdhetare të shquara, i janë bashkuar luftës nacionalçlirimtare, si ka ndodhur gjithë herë, në çdo luftë kundër pushtimit. Po ashtu, figura të shquara nuk u pajtuan me komunizmin, klerikë ose jo, profesorë apo njerëz të thjeshtë. Idea juaj se Shkodra ndryshon nga e gjithë Shqipëria dhe se vetëm në këtë qytet e askund tjetër gjen njerëz të ndershëm, edhe sikur të duam të gjithë ne, nuk është e saktë, është e gabuar, ndarëse, aspak demokratike dhe nuk e di pse, më kujton një thirrje të dikurshme, 31 vite më parë, kur zëra të çmendur kërkonin “Shkodrën Republikë”.
Dua të besoj se në rrethin tuaj shoqëror keni mjaft nga njerëzit që besojnë në të majtën politike, si ide, që do të votojnë për Benet Becin, sepse në fakt tani nuk ka një ndarje mes së majtës dhe të djathtës; dua të besoj se e keni ruajtur miqësinë me to dhe se respektoni mendimin e tyre. Ndryshe do të ishte fatkeqësi, dhe krejt e kundërta me mendimin tolerant të banorëve të Shkodrës.
Mendimi im është se Benet Beci është njeriu që i duhet Shkodrës. Bindja ime është se vetëm ai mund të bëjë ringritjen e qytetit, ç’ka nuk e bëri asnjë tjetër. Ju kërkoni vazhdimësinë, edhe pse ajo dëshmoi fatalitet; unë kërkoj ndryshimin. Ju e shikoni qëndrimin në të njëjtin vend si vlerë, unë e shoh si konservatorizëm që sjell antivlerë. Ju ende e matni kohën me ndarjen, unë me të përbashkëtën. Unë besoj te ndryshimi, ju tek qëndrimi. Kjo është ajo që qëndron mes nesh, në të kundërtën, të dy duam të jemi qytetarë të ndershëm, të vlefshëm dhe të denjë për qytetin ku kemi lindur.
Dhe, pas fitores së Benet Becit, ju ftoj të pimë një kafe bashkë.
E pas katër viteve të drejtimit të tij, jam i bindur, ju do të më ftoni mua! Sepse do të bindeni në aftësitë e tij dhe në mbështetjen e forcës politike që e mbështet.
Me respekt
Bedri Islami