Pas pandemisë shumë shërbime në Shqipëri kanë hequr sportelet dhe ofrohen online. Edhe mjekësia po synon të shkojë më afër pacientit për t`i eliminuar pritjet e gjata, kostot e udhëtimit, radhën, ankthin dhe pikëpyetjet e shumta që ngre mbi sëmundjen.
Tashmë në vendin tonë mjekët shqiptarë do të ofrojnë edhe vizita online krahas konsultave fizike. Kjo do të bëhet e mundur përmes një platforme digjitale, “Portokalle”, e para e këtij lloji në Shqipëri.
Por si mund të hyjmë në Portokallen Digjitale simbol i vitamës C ?
Alma Kurti, presidentja e kësaj nisme na tregon se pas shkarkimit të programit në telefon apo kompjuter, pacientët shqiptarë, brenda dhe jashte vendit, por edhe të huaj, kanë mundësi të kryejnë online vizitën mjekësore.
Në këtë program punojnë 230 mjekë të 30 specialiteteve të ndryshme, kardiologji, pediatri, endokrinologji, dermatologji e të tjera.
Fatjona Kraja është një nga mjekët që ka zgjedhur të ofrojë vizita online përmes programit ”Portokalle”. Si mjeke onkologe pranë QSUT ajo na tregon për rëndësinë e televizitave, një model i njohur tashmë në perëndim veçanërisht gjatë pandemisë. Sipas Krajës, konsultat online përshpejtojnë kontaktin me mjekun, largojnë stresin e pacientit por kanë dhe mundësinë të marrin një opinion të dytë specialisti për problemin shëndetësor.
Mjekët shpjegojnë se programi digjital “Portokalle” është një platformë e mirfilltë mjekësore që jep shërbim të shpejtë për një problem të caktuar.
Por sa kushton një vizitë online me mjekun specialistin dhe si mund të bëhet pagesa?
“Kostoja për një konsultë është 2100 lekë. Në momentin kur mjeku jep OK dhe pranon për vizitë në atë moment bëhet pagesa, me çdo lloj karte bankare”.
Platforma “Portokalle” është prezantuar në Tiranë, në prani të mjekëve që do të ofrojnë shërbim. Megjithatë ky program nuk ka kufij gjeografikë dhe as orar zyrtar pune.