Edmond Haxhia, Ruben Saraiva, Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman janë të përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt.
Ata janë zbuluar nga një makinë tip “Pasat”, të cilën e kishin marrë me qira dhe e kanë përdorur anglezi dhe portugezi, që ka bërë vrasjen. Porositës i vrasjes dyshohet Edmond Haxhia. Atë po e hetojmë si organizator, porositës dhe financues të krimit.
Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Fisi Lekstakajt kishte një konflikt me Nikulajn që prej 97-ës.
SI NDODHI VRASJA?
Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19 prillit kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Autori, siç u pa nga pamjet, mbante një maskë kirurgjikale, skafandër dhe jelek fosforeshent. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja.
Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën. Deri më tani raportohet se autoritetet kanë rënë në gjurmë të dy automjeteve që mund të jenë përdorur nga autorët për tu larguar nga vendngjarja, pas ikjes me motor./Dosja.al