SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS SHËNGJIN – BAKS – RRJOLL – VELIPOJË, LOTI 1, FAZA 1”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës Shëngjin – Baks – Rrjoll – Velipojë, loti 1, faza 1”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Shkodër.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “pyll”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi, prej 9 337 698.25 (nëntë milionë e treqind e tridhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë pikë njëzet e pesë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 337 698.25 (nëntë milionë e treqind e tridhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tetë pikë njëzet e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Shkodër.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

8. Bashkia Shkodër kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Shkodër.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Shkodër, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Shkodër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Për pasurinë me numër rendor 5, në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për likuidimin e vlerës së shpronësimit, zbatohen parashikimet në nenin 16, pika 2, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private, për interes publik”, të ndryshuar.

13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Shkodër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA