Biznesi i vogël dhe ai i mesëm janë motori i ekonomisë dhe ofruesi kryesor i vendeve të punës. Jemi treguar të kujdesshëm në politikat tona fiskale për t’i mbështetur në vazhdimësi, pasi po përballen mjaftueshëm me presionin qeveritar dhe rritjet e taksave e tarifave.
Edhe për 4-vjeçarin në vazhdim, kemi ndërtuar një program të detajuar për ta mbështetur biznesin, si dhe për t’i dhënë frymëmarrje këtij sektori duke gjeneruar më shumë vende pune dhe mundësi për banorët e Bashkisë Shkodër. Keqardhje të shohësh realitetin që është krijuar në këto 10 vite ku politikat e qeverisë kanë shtuar falimentin dhe në tregun e Zdrales thuajse gjysma e qepenave qëndrojnë të mbyllura. Bashkë do t’ja dalim ta kapërcejmë këtë krizë dhe të forcojmë ekonominë e Bashkisë Shkodër.