Ish-ministri i Financave Arben Malaj në programin “Dola te Ola”, foli edhe për përjashtimin e tij nga politika dhe se si ai e sheh qeverisjen e kryeministrit Rama.
Malaj tha se largimi i tij erdhi pas debateve të shumta që kishte me Ramën, edhe pse nuk kishte asgjë personale me të. “Unë jam pensionist aktualisht nga puna si deputet, punoj në mësimdhënie dhe si konsulent privat, por unë shumë mirë mund të jepja eksperiencën time si këshilltar. Unë mendoj se jo vetë Rama po njerëzit rreth tij të trajtojnë si armik”, tha ai, teksa theksoi se Rama nuk duron dot kritikën publike.
Pushteti absolut të korrupton në mënyrë absolute dhe diçka e tillë sipas Malajt do të ndodhë edhe me Ramën, pasi ka një pushtet absolut. “Të gjitha gjërat që ia kam thënë publikisht Ramës, ia kam thënë paraprakisht në strukturat e Partisë Socialiste, por ai nuk ka reaguar pozitivisht. Më vjen keq që Rama do të ketë një fat tjetër në jetë, se pushteti absolut të korrupton në mënyrë absolute. Në lidership thuhet se edhe nëse nuk e ke mendimin ndryshe duhet ta krijosh, pasi nuk ke se si ta balancosh veten. Për mua Rama ka një pushtet absolut dhe ja kam thënë edhe në sy”.
I pyetur se si zgjidhen kandidatët e Partisë Socialiste, Malaj tha, “Është e trishtueshme për Partinë Socialiste, që ishte partia më liberale, tani ka kaluar në autokraci që gjithçka vendoset nga lart-poshtë. Është e palejueshme që Partia Socialiste të mos ketë filtra dhe kanë ndodhur kaq shumë raste, ku njerëz me CV kriminale të marrin mandate si kryetar bashkie dhe deputet. Nuk ka ndodhur më parë”.
Arben Malaj pranoi se ka patur oferta dhe nga parti të tjera në vend, por nuk ka pranuar, “Jo nuk dua ta ndryshoj Partinë Socialiste. Sosyri thotë për parimet unë ndryshoj partinë, por për partinë nuk ndryshoj parimet”.
Frika e Malajt është se Partia Socialiste mund të ketë fatin e partisë së PASOK-ut në Greqi, “Nuk dua që Partia Socialiste të ketë fatin e PASOK-ut, i cili u gërrye nga korrupsioni i brendshëm dhe nga një parti kryesore në politikën greke, arriti të bëhej një parti e nivelit të tretë apo katërt, dhe doli një parti e re që bashkoi të majtën”.
Malaj tha se nënshtrimi i anëtarëve të PS-së nuk i bën mirë partisë, dhe shprehu habi me atë që po ndodh pasi deputetët betohen në Kushtetutë për vendin e tyre dhe jo për udhëheqësin. Gjithashtu sipas tij fakti që opozita ka problematikat e veta e ndihmon PS-në në mosdaljen e problemeve që ka.
Largimin e tij nga politika, Malaj e krahasoi me atë të të atit duke paralelizuar në këtë mënyrë situatën e tij në demokraci me atë të babait të tij në komunizëm, “Unë e kisha kaluar një përvojë me babanë kur u përjashtua nga partia komuniste, kështu që isha i përgatitur për këtë që ndodhi me mua. Ajo që është e trishtueshme është momenti i largimit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe i kam thënë Gramoz Ruçit në sy, shyqyr që ka vdekur nëna ime që nuk e shikon se po më bëhet një gjyq politik si në kohën e Enver Hoxhës. Ndonjëherë fati të ndihmon se trishtimi i prindërve është shumë më i madh se sa ajo që ndjen ti vetë”.
Me tej ish-ministri i Financave shtoi se ndjen keqardhje edhe për frymën diktatoriale që është krijuar nga Rama, që të gjithë veprojnë sipas preferencave të tij. “Njerëzit nuk të mbajnë afër, nëse aplikon për një projekt nuk ta japin, nëse aplikon për një vend pune nuk të thonë jo, por të lënë në pritje. Rama këtë duhet të kuptojë se ka futur mentalitetin diktatorial. Nuk them që Rama i merr në telefon ata dhe iu thotë kujdes mos ia jepni Benit këtë, por janë ata që i servilosen Ramës dhe ndjekin frymën e tij, që atë që nuk e do udhëheqësi nuk duhet ta dojë asnjë tjetër”.
Nëse Rama ka ndryshuar që kur mori drejtimin e Partisë Socialiste, Malaj tha, “Unë besoj se instinktet e brendshme të një pushteti të përqendruar është një sëmundje që i kap udhëheqësit. Ramës i pëlqen pushteti dhe kjo e dëmton. Ata që po përfitojnë nga pushteti i tij, do të jenë të parët që do të largohen sapo atij ti shkasë këmba, duke ia kaluar gjithë përgjegjësinë atij”.
Gjatë bisedës në programin “Dola te Ola”, Malaj shprehu vlerësimet për presidentin Moisiu për të cilin tha se ka dhënë një kontribut të mirë, teksa shtoi se një respekt të veçantë ka edhe për presidentin Mejdani dhe Topi.