Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy vëllezër nga Kosova, të cilët, nëpërmjet një skeme mashtrimi, synonin të përfitonin para nga siguracioni, duke u hequr sikur u kishin vjedhur makinën.

Sipas policisë, dy vëllezërit pasi shitën automjetin e tyre në Kamzë, bënë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij. Policia bëri të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar 6800 euro dhe pjesët e automjetit BMW X6.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas, për vjedhjen e automjetit të tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Insurance”. Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S. G., 27 vjeç, dhe B. G., 21 vjeç, të banues në Finlandë. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit V. K., 49 vjeç, dhe I. K., 24 vjeç, të dy banues në Kavajë.”- njofton policia.

Dy vëllezërit (S. G., dhe B. G.) kanë bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tyre BMW X6, të cilin e kanë shitur te shtetasit V. K., dhe I. K., me qëllim përfitimin e siguracionit të automjetit.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6800 euro dhe pjesët e automjetit që janë gjetur në një pikë shitjesh automjetesh, në Kavajë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”- thuhet në njoftimin e policisë.