Deputeti i PD, Ervin Salianji, i cili shkoi sot në Vaun e Dejës për të vizituar familjen e kreut të PD, Benard Ndrecës, pas sulmit me eksploziv,  u tregua shumë i ashpër në qëndrimin e tij ndaj aktit të cilin e cilësoi si terrorist dhe i përcolli në veçanti një mesazh, punonjësve të Policisë së Shtetit që të mos përfshihen në kërcënimet e pushtetit ndaj kundërshtarëve politikë. Deputeti theksoi se “nuk mund të mbahet dot Shqipëria duke i vendosur tritol, kundërshtarit politik duke tentuar të eliminohet kundërshtari politik, duke tentuar të vendosen tritole siç e kemi parë, kundërshtarëve mediatikë; duke vendosur gjoba dhe kërcënime qytetarëve.”

“Padyshim, – tha Salianji, – që  ne jemi këtu për t’i shprehur mbështetjen së pari, familjarëve të kryetarit të opozitës për zonën, por është edhe një ngjarje e rëndë e cila ndikon në klimën e sigurisë publike në të gjithë Shqipërinë.

Është një akt terrorist pa diskutim dhe ngjarja bëhet dyfish e rëndë duke marrë parasysh jo vetëm mosreagimin e qeverisë (se nuk është një çështje e reagimit me fjalë apo e reagimit duke nxitur banditët që kryejnë këto akte) por bëhet më e rëndë nëse ngjarja nuk zbardhet.

Është një çështje që do të ndiqet gjatë gjithë kohës derisa të zbardhet.

Nuk mund të mbahet dot Shqipëria duke i vendosur tritol, kundërshtarit politik duke tentuar të eliminohet kundërshtari politik, duke tentuar të vendosen tritole siç e kemi parë, kundërshtarëve mediatikë; duke vendosur gjoba dhe kërcënime qytetarëve.

I bëj thirrje, pa diskutim, çdo punonjës i ndershëm  apo që mendon se do ta vazhdojë karrierën në Policinë e Shtetit, që të mos përfshihet në fushatë elektorale, të mos bëhet pjesë e kërcënimeve ndaj votuesve të opozitës apo ndaj atyre që i mendojnë si kundërshtarë politikë,  të mos përdorin pushtetin që i buron nga, investimet që dalin nga paratë publike për të marrë dhe shoqëruar qytetarë të cilët janë të drejtën e tyre për të bërë fushatë, për të ndihmuat a votuar atë që iu shërben më mirë.

Në këto kushte dua ta mbyll edhe njëherë tjetër jo vetëm me thirrjen për ndëshkimin e  autorëve, për dhënien e dënimit më të ashpër, por edhe për reagimin e të gjithë qytetarëve në Vaun e Dejës si fillim dhe në të gjithë Shqipërinë për të ndëshkuar një qeverisje që ka vendosur në plan të parë bashkëpunimin me banditët dhe vendosjen e tritolit.

Pavarësisht se sot duket qetësi në këtë shtëpi, imagjinoni që cilitdo që ka parë pamjet e hedhjes në erë me tritol apo eksploziv dhe sekondat që ndanin fatalitetin e familjarëve të kryetarit të opozitës këtu nga momenti i shpërthimit, e bën të reflektojë  dhe më këtë reflektim ju ftoj gjithë qytetarët qoftë në këtë bashki, qoftë në të gjithë Shqipërinë që të votojnë kandidatët e opozitës për të bërë të mundur ndryshimin.”