Në artin shqiptar ka lënë një vend bosh, por mes nesh mbetet gjithmonë i gjallë në kujtime dhe i ri e plot sharm me rolet që luajti në filmat shqiptarë. Fizikisht në këtë 80-vjetor na mungoi, por kolosi i kinematografisë shqiptare Rikard Ljarja u rikthye në vendlindje përmes premierës së dokumentarit “Rikardi, Përcjellja e fundit”.

Mjeshtëria e regjisorit Mevlan Shanaj, na e solli sërish në skenë Rikardin, pothuajse 3 vite nga ndarja e tij nga jeta. I përjetuam edhe njëherë tjetër krah Marjetës, fëmijëve, familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve ato emocione që di të dhurojë një artist shumëdimensional si Rikard Ljarja.

Ai mbetet një ndër aktorët më të shquar të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, që Shkodra pati fatin ta ketë bir të sajin dhe brezi ynë të shijonte magjinë që ai dinte të dhuronte.