Makina e kryetarit të fraksionit të Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha u hodh në erë në Vaun e Dejës të martën në mëngjes. Pamjet nga kamerat e sigurisë së shtëpisë së Bernard Ndrecës në fshatin Pacram të Vaut të Dejës filmuan këtë të fundit të hynte në makinën që shpërtheu sapo u vu në lëvizje.
Fatmirësisht Ndreca dhe e ëma që ndodhej në oborr në momentin e shpërthimit shpëtuan pa lëndime.
Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm një muaj para zgjedhjeve lokale dhe Ndreca e lidhi atë me aktivitetin e tij politik. “Nuk është e vendosur mina për Benard Ndrecën, por i është vendosur mina kryetarit të PD-së së degës së Vaut të Dejës dhe kjo dihet haptas sepse këto janë të mirë organizuar për një sulm të tillë”, tha Ndreca për gazetarët pas ngjarjes.
Policia njoftoi se kishte filluar hetimet për ngjarjen dhe kishte siguruar edhe pamjet e vendosjes së eksplozivit. Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë tregojnë dy persona që vendosin eksplozivin poshtë makinës.
Deputetja Elisa Spiropali, e cila është përfaqësues e PS në qarkun e Shkodrës, e dënoi incidentin dhe kërkoi ndëshkim të autorëve, por akuzoi kundërshtarët se po e përdornin ngjarjen politikisht “për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterur”.
Edhe kandidatja e fraksionit të Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkeled Alibeaj, Klomentina Drini e dënoi incidentin dhe bëri thirrje për fushatë të qetë e qytetare.
Veç Drinit në Vaun e Dejës garojnë, ish-kryebashkiaku Zef Hila nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Partisë së Lirisë dhe fraksionit të demokratëve nën Berishën dhe Kristian Shkreli për Partinë Socialiste.