DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE DEGA VAU DEJËS
Partia Demokratike dega Vau Dejës, pas denoncimeve të banorëve dhe bizneseve të territorit të bashkisë, denoncon me forcë përdorimin politikë që po i bëhet institucioneve publike në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit.
Rasti më flagrant, është ai i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU, me kontrolle selektive që po ushtrohen ndaj bizneseve në zonë duke tentuar të ndryshojnë vullnetin e tyre dhe përkatësinë politike.
Specialistët e AKU-së iu vënë shiritin bizneseve padrejtësisht dhe më pas me pafytyrësinë më të madhe i orientojnë që t’i luten kryesuesit të listës për Këshillin Bashkiak në Vau Dejës nën siglën e PSD Ervis Shimaj, i cili luan rolin e “shpëtimtarit” ndaj bizneseve duke i detyruar që t’i japin votën Partisë Social Demokrate.
Në të tilla situata, specialistët largohen nga bizneset nën premtimin e votës ndaj subjektit politik të kryesuesit të listës së PSD-së të cilin banorët e zonës e njohin mirë për mashtrimet dhe presionet që i bën biznesit dhe banorëve.
Ervis Shimaj është shembulli tipik i përdorimit të pushtetit për shitblerjen e votave në bashkinë Vau Dejës, i cili shumë shpejt do të shkojë para drejtësië për çdo aferë dhe kompromis që po bën për shitblerjen e votave.
Kjo skemë do të marrë fund njëherë e mirë, ndaj i bëjmë thirrje Ministres së Bujqësisë znj.Frida Krifca, që institucioni i varësisë së saj të ndërpresë menjëherë sulmet ndaj biznesit.
I bëjmë thirrje çdo banori të Bashkisë Vau Dejës që të denoncojë çdo rast abuziv pranë Degës së Partisë Demokratike dhe ju shprehim garancinë se do jemi mbështetje dhe do ngremë zërin kundrejt padrejtësive ndaj gjithësecilit.