170 vite nga lindja e piktorit të madh botëror, Vincent Van Gogh, veprat e tij mund të gjenden edhe në Shkodër, kjo pasi njëra nga dhomat e shtëpisë së piktorit shkodran, Aleksandër Hila është kthyer gati në një “muze” me pikturat më të arrira të artistit të famshëm holandez.
E veçanta qëndron në faktin se ato janë riprodhuar të gjitha nga dora e Hilës dhe gjithçka nisi 13 vite më parë kur gjatë një udhëtimi në Vatikan, ai ndeshi në një nga punimet origjinale të piktorit të famshëm botëror.
Piktori shkodran Aleksandër Hila, mësues në profesion, ka riprodhuar deri më tani rreth 26 piktura të artistit holandez ndërsa nuk mungojnë as librat mbi jetën dhe veprat e Van Gogh-ut në shtëpinë e tij, prej ku është munduar të kuptojë botën e brendshme të piktorit të famshëm.
Dashuria për punimet artistike të Van Gogh-ut e ka bërë piktorin Hila të çel një ekspozitë disa vite më parë në Shkodër ndërsa aktualisht po merret me realizimin e disa peisazheve të Shkodrës në frymën dhe stilin e Van Gogh-ut.
Profesori dhe njëkohësisht piktori shkodran Aleksandër Hila ka realizuar disa ekspozita pikture dhe fotografike ndërsa po mendon që në një të ardhme të afërt të sjell një material të shkruar mbi Vincent Van Gogh.