E sërish prej politikës në menaxhim
Në një moment me thënë të drejtën, nuk më është dukë vetja në Parlament i përshtatshëm duke mos e gjetur veten aty afër problemit dhe afër dëshirës që kam pasë për të kontribu për Shkodrën. Si deputet i Shkodrës, shpeshherë të shkon mendja se je në gjendje të bësh më shumë në Parlament. E vërteta është se konstatova se ajo nuk është një mënyrë e imja për të arritë që të kesh një kontribut për qytetin nga foltorja e Parlamentit.
Ky vit në Parlament më ka bërë të reflektoj shumë për politikën. Më ka bërë të shikoj një diferencë të jashtëzakonshme mes asaj që kam bërë në shumë vite dhe asaj që po bëja në vitin e fundit në Parlament. Në momentin që u diskutua kandidimi im mendoj se qe një si dritë që më erdhi drejt asaj gjëje që kam dashtë gjithmonë të shkoj. Të kontribuoj për Shkodrën në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo me fjalë, jo me recitime, jo me fjalime, jo me patos por me punë. Unë vija nga një eksperiencë e menaxhimit dhe punëve konkrete që dhe kryeministri ma pat thënë në një moment: “Benet, ajo që ne presim dhe mund të bëjmë më mirë se çdo gjë tjetër është një punë konkrete në Shkodër”.
Në fakt, menaxhimi i bashkisë është më afër se çdo gjë tjetër për të bërë atë që duhet për qytetin. Kështu që, ai vit në Parlament veçse ma forcoi më shumë bindjen e dëshirn për të pranuar për të hyrë në këtë garë për bashkinë e Shkodrës si një mundësi për të kontribuar realisht me punë konkrete edhe me eksperiencën që unë kisha ndërtuar ndër vite për një punë të tillë.