Kryeministri Edi Rama thotë se do të shkurtojë ndjeshëm paratë që Partia Socialiste planifikon të shpenzojë për fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore, pasi një pjesë e tyre do të shpenzohen për të mbjellë pemë.
Këtë deklaratë, kreu i qeverisë e bëri gjatë fjalës së tij në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit, e cila për herë të parë po mbahet në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 38 vende të botës.
Rama tha se fushata e PS do të jetë “karbon neutrale”, pasi nuk do të ketë as mitingje, podiume apo ndotje akustike.
“Me këtë lajm, duke qenë se fushata nis me 14 prill dhe mbaron me 14 maj, por deri në fund të prillit është koha e fundit për të mbjellë fidanë, paratë e fushatës për regji, podiume, mitingje, mikrofona e ndotje akustike, do t’i vëmë në dispozicion të fidanëve”, tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama.
Rama nuk ngurroi të shigjetojë ata “vendas apo të huaj” të cilët e pikturojnë Shqipërinë si vend të krimit, drogës dhe prostitutave.
“Ky që shikoni është i vërteti ndërsa vendi i krimit, i mafies, krimit, drogës, prostitutave e plehrave, hajdutëve e lypësve është pjesërisht një vend të cilin ne e kemi lënë pas në të shkuarën dhe pjesërisht që e mban gjallë në retorikën e tyre dashakeqe dhe spekulante vendas dhe të huaj me gojën e tyre apo penën e tyre”, u shpreh Rama.