Kryedemokrati Sali Berisha i është bashkuar podcastit. përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka bërë me dije se këtë gjë e ka pasur plan prej kohësh, pasi siç thotë vetë ka qenë gjithmonë i apasionuar pas teknologjisë, por vetëm këtë të hënë e ka nisur zyrtarisht. Në postim, ai ‘thumbon’ dhe kryeministrin Edi Rama, i cili gjithashtu ka njoftuar për nisjen e aktivitetit në këtë platformë dhe shton se kreu i qeverisë është gjithmonë disa hapa pas tij. Gjithsesi, kreu i PD-së përsërit thirrjen për përballje në një debat publik me Ramën, ndërsa mënyrën ia lë në dorë këtij të fundit.
Postimi:
Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re. Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj. Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishen qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në dhjetorin e kaluar. Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin. Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time. #sb