Miq dhe familjarë të aktorit të mirënjohur, të kolosit të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja, u bashkuan në përkujtim të 80-vjetorit të tij, në premierën e shfaqjes së dokumentarit “Rikardi, Përcjellja e fundit”.
Në mjeshtërinë e regjisorit Mevlan Shanaj, Rikardi erdhi sërish në skenë, pothuajse 3 vite nga ndarja e tij nga jeta. Nuk kishte si të niste ndryshe ky rrugëtim, veç se nga Shkodra. Nga lindja e tij, 1 Prill 1943, rrugëtimi gjatë fëmijërisë, historia e tij drejt kinematografisë dhe martesa me Marjetën, u sollën mes fotove të dhe videove të papublikuara më parë. Pjesë ishin dhe dy fëmijët e tij, të cilët ende nuk janë mësuar me mungesën e babit. Aktorë të mirënjohur, regjisorë, miq të Rikardit, sollën në këtë dokumentar copëza nga jeta e tyre së bashku. Brezi më i ri i aktorëve e kujton atë me përulje edhe si regjisor. Filmat e realizmit socialist pavarësisht ideologjisë janë një pasuri. Vlerësimi për to vjen edhe nga zëri autentik i vetë aktorit, regjisorit Rikard Ljarja. Rikard Ljarja u nda nga jeta më 20 Prill 2020 në moshën 77-vjeçare. Ai mbetet një ndër aktorët më të shquar të kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Ljarja ishte edhe regjizor, skenarist dhe autor i disa librave me tregime dhe romane.