2 Prilli do të mbahet mend jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë një ngjarje me përmasa historike, mbarë kombëtare, monument i qëndrës dhe luftës së shkodranëve për liri dhe demokraci, dita që shëmbi ndërtesën e urryer të Komitetit të Partisë.
Do të mbetet një ditë krenarie, por edhe dhimbje e madhe, ditë kur bisha komuniste atë ditë vrau 4 djem të rinj shkodranë, plagosi me qindra të tjerë dhe mbyti me gjak një qytet të tërë, por shkodranët fituan, mposhtën bishën komuniste dhe u bënë burim frymëzimi dhe kurajoje për mbarë popullin shqiptar, për shëmbjen e komunizmit dhe ndërtimin e një Shqipërie të lirë, demokratike, të begatë e të integruar me dinjitet në strukturat euro-atlantike. Eshtë e vërtetë se një njeri, një qytet, apo më gjërë, përjeton situata të ndryshme që nga të zakonshmet, deri më të vështirat. Pikërisht tek këto të fundit zbulohet shpirti, aftësia, personaliteti dhe dinjiteti i tyre, ku ato dinë të mbajnë qëndrim historik e të drejtë, duke dalur faqebardhë para vehtes së tyre, qytetit, kombit, para Zotit. Këtë bëri Shkodra më 2 Prill të 1991, duke pasqyruar më tej traditat e mrekullueshme të të parëve tanë, dashurinë për atdhe, për liri e demokraci, duke pasuruar kështu historinë e Shqipërisë me vlera të mëdha artistike.
Vetë historia, vetë Shkodra, Shqipëria kërkonin që në krye të lëvizjeve demokratike të vitit ’90-’91 të vihej Shkodra, sepse kampion i natyrës demokratike, emancipuese, pro perëndimore, kundër diktaturës, sidomos asaj komuniste ka qenë në vijën e parë gjithmonë Shkodra. Ajo e tregoi vehten duke filluar nga lëvizjet, demostratat antikomuniste, në shkollat e mesme, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, deri në lëvizje e demonstrata të gjera popullore. Një grup qytetarësh shkodranë, djem të rinj e trima si zana bëjnë përpjekje për të rrëzuar bustin e diktatorit Stalin në qendër të qytetit. Dështojnë, mbyten në gjak, burgjet mbushen plot me të rinj, ndërsa qyteti me policë e sigurimsa. Qindra shkodranë, kryesisht të rinj, përcjellin me nderim trupin e 17-vjeçarit Pëllumb Pëllumbi, të vrarë e të masakruar në kufi nga shteti. Shkodranët atë ditë hedhin parrulla antikomuniste kundër Enver Hoxhës e Nexhmie Hoxhës, duke e varrosur trimin hero me respekt e nderime të mëdha.
13 dhjetori mbledh në shesh qindra e mijëra qytetarë, të cilët e filluan marshimin nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” përgjatë rrugës kryesore të qytetit sot “Rruga 13 Dhjetori”. Shëmbet përtokë pllaka e vendosur në faqen e murit të Bashkisë Shkodër me mbishkrimin “Rruga Enver Hoxha”. Masa e qytetarëve drejtohet drejt Komitetit të Partisë, hyhet në katin e parë, griset fotografia e Enver Hoxhës, hidhet përtokë parrudha komuniste “Njeriu i ri vepra më e shkëlqyer e Partisë”. Turma drejtohet drejt bustit të Enver Hoxhës, përballë ish-Komitetit Ekzekutiv, sot Këshilli i Qarkut e Prefektura, hidhet në erë me tritol busti i diktatorit Enver Hoxha dhe vazhduan manifestimet përgjatë rrugës. Asgjë nuk i ndan ato, as policët e armatosur që i presin rrugën në qendër të qytetit, të cilët ikin pas pak të turpëruar, duke u fshehur tek zjarrfikëset e qytetit. Shkodranët kishin vrarë frikën, frika dhe tmerri kishin pushtuar shtetin komunist. Një popull i tërë ndiqte me shpresë, besim dhe plot respekt ngjarjet e Shkodrës. Dhe erdhi 1-2 Prilli i ’91 që do të mbesin për jetë, për tërë popullin shqiptar monument i gjallë i luftës për liri e demokraci, kundër diktaturës komuniste. Shqiptarët e dinin se nuk do të përfundonte me kaq, e aq më mirë shkodranët. Të dy palët po përgatiteshin për ndeshjen e ardhshme. Shteti totalitar komunist kërkonte dhe shpresonte që me mposhtjen, me dhunë të egër ndaj Shkodrës, të frymës së saj për liri e demokraci do të bënte të dobësoheshin, të mbaheshin nën kontroll lëvizjet demokratike popullore ose të shuheshin ato. Në strukturat e dhunës të shtetit komunist grumbullohej numër gjithnjë e më i madh policësh, spiunësh e agjentësh, mjete dhune, shkopinj gome, armatim i lehtë e i rëndë, vagabondë e kriminelë. Një aparat i fuqishëm e i specializuar komunist përmes radios dhe TVSH mbillte helm dizinformues, duke u përpjekur të paraqisnin lëvizjet popullore, demostratat në Shkodër si grumbullim vagabondësh, hajdutësh, vjedhës dyqanesh e shtëpish, shkatërruese të gjithçkaje.
Masa e gjërë e shkodranëve ishte bërë e vetëdishme për rolin e saj të rëndësishëm, për domosdoshmërinë e shembjes së komunizmit dhe për ndërtimin e një Shqipërie demokratike. Në çdo shtëpi, familje, farefis, shoqëri, çdo ditë dhe natë bisedat politike ishin në rend të ditës. Ndryshimet e mëdha në Europën Perëndimore, era e fuqishme e demokracisë amerikane, krijimi i Partisë Demokratike kishin rritur besimin e vrarë frikën. Shkodranët e ndjenin në shpirtin e tyre erën e fitores dhe demokracisë. Zgjedhjet e 31 marsit ’91, manipulimi i votave nga PPSH, fitorja e PD në rrethin e Shkodrës, kishin bërë që dy grupimet kundërshtare t’i interpretonin në mënyrë të ndryshme. Shkodranët e kishin shumë të qartë se pjesa dërrmuese e popullit shqiptar kishte votur për PD-në, por vota ishte vjedhur nga socialistët dhe ajo duhej mbrojtur me çdo kusht. Komunistët, pasi siguruan fitoren e manipuluar, menduan se kishte ardhur momenti i përshtatshëm për të mposhtur me dhunë çdo portestë në Shkodër, për t’i nënshtruar ato, për t’i dhënë një mësim të mirë dhe për të shuar pastaj lëvizjen demokratike në të gjithë Shqipërinë. Dhe shenjat e para të kësaj ndeshjeje u dukën në mbasdrekën e 1 prillit, kur deri në orët e vona të natës, para Komitetit të Partisë mbi 400 demonstrues ishin ulur në shesh dhe protestonin paqësisht, duke hedhur parrulla antikomuniste, pro Amerikës, Europës, demokracisë. E nesërmja zbardhi e qetë. Para Komitetit të Partisë kishte një numër policësh të veshur dhe civilë. U dukën rreshtet e gjata të qindra të rinjve gjimnazistë që me libra në dorë u vendosën para Komitetit të Partisë dhe filluan protestën paqësore. Ishin gjimnazistë të Shkollës “Jordan Misja” dhe “28 Nëntori”. Befas mbi to u sulën dhjetra e qindra policë, sambistë, që filluan t’i godasin me shkopinj gome dhe druri. Gjaku skuqi rrugët, të thirrurat dhe britmat u dëgjuan në çdo shtëpi shkodrane: “Po na vrasin djemtë dhe vajzat tona” dhe u derdhën drejt qytetit qindra dhe mijëra qytetarë nga lagjet Kiras, Dërgut, Serreq, Dudas, Perash, Arra e Madhe, Xhabijej, Skënderbeg, Rus, nga fshatrat për rreth. Dhe ikën, ia mbathën komunistët të tmerruar brenda ndërtesës së Komitetit të Partisë, as autoblindët që u sollën me shpejtësi, asgjë nuk mund të ndalte turmën e revoltuar. Urrejtja 50-vjeçare antikomuniste kishte bërë që atë ditë të mos njihej frika, plumbi, vdekja. Bisha komuniste hapi zjarr mbi turmën. Ranë të plagosurit e parë, të vrarët e parë, katër djem të rinj si: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, katër përfaqësues të fiseve të nderuara të Shkodrës. Ranë në lulen e rinisë për të mbetur për jetë të paharruar në historinë e Shkodrës, Shqipërisë e demokracisë. U mposht bastia komuniste, Komiteti i Partisë ra dhe u shëmb ndërtesa kobzezë që u kishte sjellë aq fatkeqësi shkodranëve. Kanë kaluar 18 vjet, por kujtimi i asaj dite, rënia e katër dëshmorëve të demokracisë do të mbesi për jetë burim frymëzimi, mesazh i vërtetë për shkodranët e gjithë shqiptarët.
Por 2 Prilli nuk hesht, ai është i gjallë në shpirtin e çdo shkodrani. 2 Prilli përsëri do të vazhdojë të përcjellë mesazhe. Ai kërkon ndërtimin e një shteti ligjor, luftë të suksesshme kundër korrupsionit, zhvillim të shpejtë të ekonomisë, rritje të mirëqenies, respektim dhe zgjerim të dimensioneve të demokracisë, integrim dinjitoz në strukturat euro-atlantike. 2 Prilli do të jetë gjithmonë në mbështetje të demokracisë dhe zhvillimit, burim frymëzimi për një popull të tërë.