Të nderuar familjarë të dëshmorëve të demokracisë

I nderuar prof.dok Sali Berisha
Deputet të Kuvendit të Shqipërisë, Drejtues dhe anëtar të shoqates 2 Prilli, e të përndjekur politik
Të dashur bashkëqytetarë që jeni sot të pranishëm në këtë shesh

Ashtu si çdo vit, jemi sërish bashkë në këtë 32 vjetor të përkujtimit të masakrës së 2 Prillit 1991, që lau më gjak Shkodrën, duke i vrarë 4 bij të saj, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën. Një endërr e prerë në mes nga plumbat e pabesë të veglave të regjimit, që nuk u kursyen të godisnin endrrat për liri dhe demokraci që dilnin nga shpirti i lirë i popullit të Shkodrës.

Kjo datë ka mbetur në historinë e Shqipërisë post komuniste, si një plagë që na shërben sot jo vetëm për të nderuar 4 jetët e prera në mes, por edhe për të kujtuar e reflektuar që të mos e harrojmë të shkuarën. Le t’ja mësojmë brezit të ri kalvarin që përjetuan prindërit e bashkëmoshatarët tanë, vuajtjet e sakrificat deri në dhënien e jetës për të rrëzuar diktaturën më të egër në Europë.

Atë që për 45 vite bëri regjimi komunist në Shqipëri, e që populli i Shkodrës e përjetoi në kurriz më dhunshëm se kushdo tjetër, u pa të përsëritej edhe në 2 prillin e 1991, kur urdhëruesit e vrasjes së 4 djemve të këtij qyteti, e dhunës ndaj qindra të tjerëve, vepruan pabesisht por me një plan të mirëmenduar.

4 viktima dhe rreth 100 qytetarë të plagosur, ishin vepër e një masakre terroriste që regjimi po i bënte qytetit simbol të lirisë, rezistencës dhe kurajos. Shkodra nuk mund të pajtohej me grabitjen e votës dhe prandaj të gjithë mbushën sheshin, të rinj e të reja, qytetarë të të gjitha moshave u përballën me armët e regjimit më të egër diktatorial.

Sakrifica sublime e tyre jehoi fort dhe ishte dëshmi përpara syve të cdo shqiptari dhe botës mbarë, se cfarë ishte në gjendje të bente ai regjim edhe në grahmat e fundit.

Sot të gjithë së bashku në këtë shesh, nderojmë veprën e pavdekshme të martirëve të demokracisë dhe i japim jehonë kësaj ngjarje, që kurrë nuk duhet harruar. Sot gjendemi përballë një tjetër regjimi, nga bijtë e bllokut që kanë marrë peng të ardhmen e vendit, të cilët po punojnë me cdo mjet për të minosur demokracinë. Tentativa e tyre për të shuar opozitën dhe aplikimi i skemave për ta nxjerrë jashtë sistemit zgjedhor janë dëshmi e pastër e asaj që përfaqësojnë, urrejtjes patologjike që kanë për votën e lirë.

Edi Rama dhe pushteti i errët i krimit që ka instaluar në Shqipëri, e dijnë fare mirë se populli opozitar nuk i trembet përballjes për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat që ajo përfaqëson. E ka bërë gjatë viteve të regjimit, e ka bërë gjatë viteve 90 dhe është i gatshëm ta mbrojë edhe sot më shumë se kurrë. 14 Maji do të jetë një prej atyre momenteve që do ta dëshmojë më së miri këtë gjë, pasi qytetarët e Shkodrës dhe Shqipërisë nuk do të lejojnë që institucionet e tyre të përfundojnë në duart e krimit dhe babëzisë së errët të pushtetit të rilindjes.

Shpirti i lirë dhe vizioni pro perendimor i bashkëqytetarëve të Shkodrës dhe mbarë popullit shqiptar, ka për të vendosur përmes votës së lirë, që pushteti nga një grusht oligarkësh të kthehet tek qytetari, ai që sot po e vuan më shumë se askush arrogancën e pushtetit. Le të na shërbejë 2 prilli, si një mesazh i fortë bashkimi e vendosmerie për të çuar në vend amanetin që na lanë përmes aktit të tyre sublim, martirët e demokracisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!