U prezantua sot në sallën e këshillit bashkiak Shkodër projekti për ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane Muriqan-Lezhë. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH, është angazhuar përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor në realizimin e këtij projekti.

Projekti ka shtrirje në territorin e Bashkisë Shkodër dhe do të japë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e rrjetit të transportit duke ndikuar, veçanërisht, në përmirësimin e transportit në zonat me flukse të larta turistike. Rezart Agaxhiu inxhiner i projektit prezantoi përpara të pranishmeve projektin e seksionit në fjalë me një gjatësi prej 41 kilometrash, ku 14, 5 kilometrat e para i përkasin bashkisë së Shkodrës.

Autostrada Adriatiko-Joniane Muriqan-Lezhë do të kalojë nëpër territoret e tre bashkive, Shkodër, Vau Dejës dhe Lezhë. Autostrada do të jetë e përbërë nga 4 korsi, dy në vajtje dhe dy në ardhje ku janë parashikuar 40 nënkalime rrugore dhe korsi emergjence. Të pranishëm në këtë takim ishin të pranishëm një ekip ekspertësh të huaj si dhe banorë të zonave nëpër të cilat është parashikuar të ndërtohet kjo rrugë e cila do të ketë një impakt të rëndësishëm në përmirësimin e transportit sidomos në zonat me flukes të larta turistike.