ABC News këtë të enjte ka qenë në vendin e ngjarjes ku janë sekuestruar 27 sera të kultivimit të kanabisit në Malësinë e Madhe.
Gazetarja Xhensila Kodra bën me dije se vendi ishte shumë afër rrugës kryesore por larg banorëve të zonës, pasi zonat e banuara ndodheshin shumë larg kësaj grope që kishte shërbyer për inertet dhe së fundi nga 52 vjeçari ishte kthyer në vend për kultivimin e narkotikëve.
Ndër të tjera ajo ka bërë me dije se policia dyshon se përveç të arrestuarit Nesti Velaj, i njohur ndryshe edhe si Ernest Vestaj, mund të jenë edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Nga pamjet vihet re se në vendin e ngjarjes tashmë kanë ngelur vetëm disa tela dhe kuti që janë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gjovalin Gjekaj, 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe Roland Gjekaj, 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe Arben Hysaj, 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).
Ndërkaq kujtojmë se në operacionin e djeshëm të policisë janë evidentuar 27 sera, brenda të cilave janë gjetur të kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në proces për t’u kultivuar në tokë./abcnews.al